Në parkun “Pionir”, pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë, besohet se janë parë persona të cilët Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për terrorizëm. Ndërsa autoritetet heshtin, opozita dhe shoqëria civile paralajmërojnë për lidhjet e strukturave shtetërore me rrjetet paralele të sigurisë.
Sipas raportimeve nga terreni, të paktën një nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës e ngarkon me përgjegjësi për pjesëmarrje në sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar, është parë më 28 qershor në parkun “Pionir” në Beograd, afër Presidencës dhe kampit të përkrahësve të pushtetit. Këta persona ishin afer forcave te policisë. Kjo ja ndodhur gjatë protestës masive te studenteve dhe qytetare ne Vidovdan.
Pamjet që janë publikuar në rrjetet sociale tregojnë një grup burrash të veshur me këmisha identike, ndërsa në publik lindin pyetje nëse ata janë pjesë e grupit të kërkuar nga autoritetet e Kosovës për terrorizëm. Deri më tani, institucionet e Serbisë nuk kanë dhënë asnjë reagim zyrtar.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza kundër gjithsej 45 personave për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, ish nënkryetar i Listës Serbe, i cili në tetor të vitit 2023 pranoi publikisht se ai e kishte udhëhequr këtë sulm të armatosur, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe disa pjesëtarë të grupit sulmues.
Lidhur me mungesën e reagimit nga institucionet serbe, ka reaguar Aleksandar Radovanoviq nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, duke theksuar përmasat politike të rastit dhe mbështetjen shtetërore që, sipas tij, i ofrohet Radoiçiqit.
“Që në fillim është e qartë se pas Radoiçiqit qëndron shteti i Serbisë. Ai vepron në interes të regjimit të Partisë Progresive Serbe në Kosovë, para së gjithash për të frikësuar qytetarët serbë në veri të Kosovës. Ekzistojnë akuza serioze se ai ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Nuk është diçka e re që shteti e mbron atë, por është tronditëse që institucionet injorojnë faktin se armatimi dhe automjetet e blinduara janë siguruar në territorin e Serbisë, dhe askush gjoja nuk ka vërejtur asgjë,” deklaroi Radovanoviq.
Ai shton se është e paimagjinueshme që në një shtet të mund të organizohet një operacion i tillë pa dijeninë e shërbimeve të sigurisë.
“Dikush duhet të ketë ditur kur po armatosej një grup i tillë dhe kur po përgatitej një aksion me mjete luftarake. Ne nuk e dimë nëse ishte vetë shteti që urdhëroi atë që ndodhi në Banjskë, apo nëse Radoiçiq veproi në mënyrë të pavarur. Por ajo që dihet është se ai i ka shkaktuar një problem ndërkombëtar vetë Serbisë. Refuzimi për të ndjekur penalisht të përfshirët është në vetvete një krizë e përgjegjësisë shtetërore,” shton ai.
Sipas Radovanoviqit, pushteti po i mbron pjesëtarët e grupit të armatosur sepse, siç thotë ai, ata më parë kanë kryer “punë të pista” për regjimin. Por ai parashikon se presioni ndërkombëtar mund të detyrojë autoritetet në Beograd që të organizojnë një proces të kontrolluar.
“Unë besoj se Radoiçiq do të përballet me një proces të montuar në Serbi, me një dënim të butë, dhe më pas do të largohet nga skena publike, ashtu siç ka ndodhur tashmë. Qëllimi i vetëm është të shmanget ekstradimi ose një proces ndërkombëtar,” përfundon Radovanoviq.
Për këtë çështje reagoi edhe Bojana Sellakoviq, koordinatore e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, duke theksuar se rasti tregon për një sistem të rrezikshëm të mosndëshkueshmërisë.
“Kjo situatë vetëm sa e konfirmon atë që dyshohet prej kohësh, ekzistojnë lidhje të forta dhe sistematike ndërmjet strukturave shtetërore të Serbisë dhe grupit që kreu sulmin në Banjskë. Edhe nëse zyrtarët më të lartë e mohojnë përfshirjen, është më se e qartë se këto lidhje jo vetëm që ekzistojnë, por edhe nuk janë ndërprerë,” tha ajo.
Sellakoviq vlerëson se fakti që personat e kërkuar lëvizin lirshëm në qendër të Beogradit, ndërkohë që në të gjithë Serbinë po zhvillohen protesta masive qytetare, përbën rrezik shtesë për rendin dhe sigurinë publike.
“Është shqetësuese nëse persona që dihet se janë pjesë e strukturave paralele kanë marrë kompetenca në fushën e sigurisë në Serbi. Ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e veprave të rënda penale, por ata nuk po ndiqen penalisht. Prania e tyre ngre pyetjen thelbësore: kush janë ata që mund të përdoren kundër qytetarëve që protestojnë?”, pyet Sellakoviq.
Sellakoviq vlerëson se në vend që të procedojë penalisht të dyshuarit dhe kështu të tregojë përkushtim ndaj vlerave dhe reformave evropiane, pushteti “po i përdor integrimet evropiane si një mjet politik dhe jo si një proces të sinqertë të ndryshimeve sistematike”.
Bashkimi Evropian ka kërkuar disa herë nga Serbia që të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë dhe të japë shpjegime për origjinën e armëve të përdorura.
Megjithatë, deri më sot në Serbi nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor i mirëfilltë për këtë rast. Përjashtim bën vetëm një intervistim i shkurtër i Milan Radoiçiqit në polici në Beograd, pas së cilës ai është liruar pa asnjë aktakuzë./RTK/
The post Të dyshuarit për Banjskën të pranishëm si pjesë e strukturave të sigurisë appeared first on GazetaBlic.