Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar edhe për një aktvendim të radhës, i cili ka ardhur nga Gjykata Komerciale në Prishtinë, përmes padisë së ushtruar nga bashkëpunëtorët e OEK Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, që pezullon vendimin e ZRRE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për një anëtar të Odës.
“Ky aktvendim nga Gjykata duhet të shërbejë si argument i fortë për ZRRE-në që të rishqyrtojë tërësisht dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset, për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës së lirë, biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës”, tha OEK.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRRE-së që “pa emocione, në mënyrë profesionale dhe transparente, të shfuqizojë vendimin për daljen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë”.
Gjithashtu, OEK tha se nga e hëna, përmes Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, do të publikohen edhe pesë aktvendime të tjera të cilat po ashtu kanë aprovuar kërkesat e bizneseve për pezullimin e vendimit të ZRRE.
“Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen ligjore të bizneseve dhe do të vazhdojë me ngritjen e padive përmes bashkëpunëtorëve të saj ligjorë dhe zyrës së juristëve të themeluar brenda OEK”.
The post Aktvendimi i fundit i Komerciales, OEK me thirrje ndaj ZRrE-së për pezullim të vendimit për të gjitha bizneset appeared first on GazetaBlic.