Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të premte një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjete sociale, ku paralajmëroi të gjitha bizneset e bar-kafeneve, apo edhe biznese të tjera, që të lirojnë hapësirat publike që kanë uzurpuar me të pa drejtë.
Rama ftoi bizneset të çmontojnë vetë strukturat që kanë ngritur në hapësira publike pasi do të përballen me forcën e ligjit, madje do të gjobiten dhe ndiqen penalisht.
Thirrja e kryeministrit iu drejtua edhe atyre që kanë uzurpuar hapësirat publike mes pallateve dhe i përdorin si parkime private, ku kanë vendosur edhe tra në truallin publik.
“Askush nuk ka mbi tokën e hapësirës rreth pallateve më shumë të drejta sesa secili prej banorëve që janë në ato pallate.
Iu bëj thirrje atyre që zotërojnë të tilla asete, që nga trarët që vendosin për t’u marrë lekë për parkim banorëve, duke pretenduar që është prona e tyre private. Nuk ka pronë private sa kohë që ajo është një hapësirë ku nuk ka leje për të bërë një aktivitet të caktuar. Nuk mund të vësh një tra në qytet me pretendimin se është prona jote dhe ti të marrësh lekë, për të lejuar banorët që të paguajnë për të qenë të zotët e vendit vet.
Iu bëj thirrje të gjithë atyre që të fillojnë t’i heqin vetë këto trarë dhe pengesa, edhe atyre që janë hapur me tenda. Jo vetëm që do t’iu çmontohen, por do përballen me gjoba dhe ndjekje penale për krim mjedisor, për zaptim dhe shkatërrim të pronës publike”, tha Rama.
Shefi i qeverisë tha se dyjavëshin e parë të korrikut do të hartohen inventarët e të gjitha hapësirave të zëna, në qytete, veçanërisht në Vlorë, Tiranë dhe Durrës, por edhe qytete të tjera.
Më pas, sipas tij, në dyjavëshin e dytë autoritetet do të bëjnë lirimin e të gjitha hapësirave të zëna.
“Brenda dy javësh duhet të kemi inventarët në të gjitha zonat në këto qytete, duhet të kemi inventarët e këtyre kleçkave që ua kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete, që ua kanë nxirë jetën këtyre komuniteteve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në tokë të zënë në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dyjavëshin e dytë të korrikut të vijojmë për të mos u ndalur më me të gjithë forcën e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe Policisë së Shtetit për ta ngritur njëherë e mirë në hava shtëpinë tonë të përbashkët, njësoj si amvisat ngrejnë në hava shtëpinë e tyre”, tha Rama.
The post Rama parlajmëron bizneset: Lironi hapësirat publike që keni uzurpuar, do ua shembim appeared first on GazetaBlic.