Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm për takime, konsultime dhe bashkëpunim politik për të dalë nga bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ka ofruar dy kompromise konkrete për zgjidhjen e situatës.
“Gjithmonë jam i gatshëm për takime, konsultime konstruktive e bashkëpunime, për konsensus e kompromis,” tha Kurti.
Ai tha se kompromisi i parë që u është ofruar partive politike është që ato të delegojnë përfaqësuesit e tyre dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit përmes një pakete të përbashkët, ku secili votim të bëhet një nga një.
“Nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë. Me bojkot nuk shkohet përpara. Të kemi marrëveshje politike për kryetarin dhe pesë nënkryetarët – me marrëveshje paketë të votohen një nga një,” u shpreh Kurti.
Kompromisin e dytë, Kurti e cilësoi si një ofertë të njëanshme nga kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Kompromisi tjetër është ofruar njëanshëm nga kandidatja jonë Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se nëse nuk votohet me votim të fshehtë, do të tërhiqet. Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër,” theksoi Kurti.
Ai shprehu habi për qëndrimin e partive opozitare që po kundërshtojnë vazhdimisht votimin e fshehtë.
“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare për votim të fshehtë, kur dihet që qytetarët me 9 shkurt kanë votuar me votë të fshehtë dhe e kanë bërë Vetëvendosjen fituese,” tha ai.
Në fund, Kurti tha se PDK e LDK nuk bëjnë sa Vetëvendosja. Ai këto komente i bëri gjatë vendosjes së gurthemelit të çerdhes në Bradhosh të Prishtinës.
The post Kurti: Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër appeared first on GazetaBlic.