Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje sot ka “konsumuar një shkelje e Kushtetutës me vetëdije”.
Ai tha se kjo qasje e LVV-së edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është “një nivel i ri jo vetëm i papërgjegjësisë, por i rrezikimit të demokracisë në Kosovë”.
Krasniqi tha se PDK-ja do ta shqyrtojë “qysh sot” mundësinë e dërgimit të shkeljes së sotme, siç thotë, në Gjykatën Kushtetuese. Këtë, ai tha se mund ta bëjë edhe Presidentja apo të tjerët.
“Dhe normalisht që ne do ta shqyrtojmë qysh sot mundësinë e dërgimit të një lënde të re në Gjykatën Kushtetuese. Ndoshta mundet edhe vetë Presidentja. Ndoshta mundet i njëjti grup i deputetëve që e kanë dërguar edhe në të kaluarën. Pse jo, nëse kanë paqartësi, mundet me e çu edhe vetë grupi i Vetëvendosjes, sepse për ata përnjëmend gjithçka është e paqartë, sepse mendojnë se vetë mmënyra qysh e shohin ata realitetin është e vërteta, por nuk është”, tha ai.
Ai tha se LVV-ja po mundohet ta ndryshojë “në mënyrë arbitrare mënyrën e votimit”, me votimin e komisionit, gjë që “ua ndalon aktgjykimi”.
“Një formë ose tjetër, unë jam i bindur që ne do të përfundojmë në Gjykatën Kushtetuese përsëri, sepse nëse deri më 26 korrik nuk përmbushet obligimi që na e ka dhënë aktgjykimi i Gjykatës për ta konstituuar Kuvendin, atëherë përgjigje konkrete në këtë aktgjykim nuk ka. Na mbetet të marrim përgjigje të reja dhe t’i japim vendit zgjidhje”, tha Krasniqi.
Kryetari i PDK-ja tha se ka shpresuar vërtetë që në LVV “do të reflektojnë dhe do të tërhiqen nga bllokada”.
“Por shpresa ime ka qenë vërtet – sidomos pas konsuës së pardjeshme kur nuk u mbajt seanca, që ata do t’i thirrin mendjes së shëndoshë, që do të reflektojnë dhe do të tërhiqen nga bllokada, por siç duket kjo nuk ndodhi”, tha ai.
The post Krasniqi: Jam i bindur që do të përfundojmë në Gjykatën Kushtetuese përsëri appeared first on GazetaBlic.