Arieta Spahiu, bashkëshortja e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në burg në Serbi që nga fillimi i qershorit, ka reaguar sërish me tone të ashpra ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës për mungesën e veprimit dhe heshtjen që po e shoqëron këtë rast.
Spahiu për Dukagjinin ka theksuar se burri i saj është arrestuar dhe po mbahet në mënyrë të padrejtë, pa asnjë provë të qartë, në kushte të rënda dhe larg familjes. Ndërsa në Kosovë, sipas saj, institucionet përkatëse nuk po bëjnë asgjë për të mbrojtur qytetarin e tyre.
“Ku është shteti? Ku është kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, ministria e Jashtme, ambasadat? Çfarë po bëjnë për këtë rast të padrejtë? Asgjë! Me heshtjen tuaj, po e pranoni burgosjen e tij, po bëheni bashkëfajtorë!”, ka thënë ndër të tjera bashkëshortja e Spahiut.
Ajo u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të shtetit që të mos heshtin përballë një padrejtësie të tillë dhe të ndërmarrin masa konkrete për lirimin e menjëhershëm të Arbnor Spahiut, duke theksuar se kjo nuk është një kërkesë për mëshirë, por një detyrim i shtetit ndaj qytetarëve të vet.
Në fund të deklaratës së saj, Arieta Spahiu paralajmëroi se nuk do të ndalet deri në kthimin e bashkëshortit të saj në liri dhe bëri apel që heshtja të mos kthehet në normë përballë padrejtësive ndaj qytetarëve të pafajshëm.
Reagimi i plotë i Arieta Spahiut:
MJAFT MË HESHTJE!
MJAFT MË NEGLIZHENCË!
MJAFT MË SHPINË TË KTHYER NDAJ BIJVE TË KËTIJ VENDI!
Unë jam bashkëshortja e Arbnor Spahiut. Ai po mbahet padrejtësisht në një burg të huaj, në kushte të tmerrshme, larg familjes dhe pa asnjë provë të qartë.
Dhe çka bën Kosova
ASGJË!
Kujt i takon të mbrojë qytetarët e vet në rast të padrejtësive?
Kujt i takon të ndërhyjë, të kërkojë llogari, të protestojë ndërkombëtarisht kur një qytetar i pafajshëm mbyllet në burg padrejtësisht?
Shtetit!
E ku është shteti im sot?
KU JENI Z. KRYEMINISTËR ALBIN KURTI?
KU JE PRESIDENTE VJOSA OSMANI?
KU JENI JU NGA MINISTRIA E JASHTME, KU JENI JU NGA AMBASADAT?
KU JENI O INSTITUCIONE QË PAGUHEN ME PARATË TONA?
Po e shihni, po e dini rastin e Arbnor Spahiut. Po e ndjeni që po bëhet një padrejtësi e madhe, por po zgjidhni të heshtni.
Me heshtjen tuaj, po e pranoni burgosjen e tij. Po bëheni bashkëfajtorë në këtë padrejtësi!
U harrua burri im.
Unë nuk jam politikane, nuk kam pushtet, por kam zërin tim dhe dhembjen time. Dhe forcën time.
Dhe këtë zë do ta përdor çdo ditë, derisa ta trondit vendin!
Sepse nuk po flas për luks.
Po flas për LIRINË E NJË NJERIU TË PAFUNDSISHËM!
Po flas për JETËN E NJË BURRI TË NDERSHËM!
Po flas për TË DREJTËN E NJË QYTETARI KOSOVAR!
Apo liria në këtë shtet është vetëm për të pasurit?
Vetëm për ata që kanë lidhje partiake?
Vetëm për ata që i shërbejnë interesave politike?
UNË KËRKOJ LIRIMIN E MENJËHERSHËM TË ARBNOR SPAHIUT!
Dhe këtë nuk e kërkoj si mëshirë, por si detyrë tuajën!
Kosova ka për obligim të mbrojë çdo qytetar të vet, kudo që të jetë, veçanërisht kur është i pafajshëm!
Nëse nuk reagoni sot, mbani përgjegjësi nesër.
Historia do t’ju gjykojë!
Populli do t’ju gjykojë!
Dhe ndërgjegjja juaj – nëse e keni ende – do t’ju rëndojë përjetë!
Unë nuk do të ndalem.
Unë do të flas.
Unë do të luftoj me fjalë, me shpirt, me çdo grimcë të qenies sime, derisa Arbnori të kthehet i lirë.
Sepse liria nuk është privilegj – është E DREJTË!
The post “Ku është shteti?” – Bashkëshortja e ish-policit Arbnor Spahiut të arrestuar në Serbi shpërthen ndaj institucioneve për heshtje dhe mosveprim appeared first on GazetaBlic.