Faton Peci ka reaguar pasi VV’ja njoftoi kandidaturën e tij për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, raporton GazetaBlic.
Ai premton një trajtim të ri për qytetin, me fokus në projekte zhvillimore dhe zhvendosjen e disa institucioneve shtetërore në veri. Peci thekson rëndësinë e përgjegjësisë politike dhe angazhimin për të përfaqësuar qytetin me guxim dhe vendosmëri.
Me mbështetjen e qytetarëve, ai synon të nisë një cikël punësh pozitive nga 12 tetori.
Shkrimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Mitrovica është zemra e Kosovës.
Pas rezultatit të fundit zgjedhor, si i treti në listën e Vetëvendosjes dhe i pesti në nivel të Kosovës, një besim kaq i madh ka rritur edhe më tej përgjegjësinë time politike.
Në funksion të kësaj përgjegjësie, duke iu përgjigjur kërkesës së shumë qytetarëve, si dhe të Kryeministrit Albin Kurti dhe koalicionit VV–Guxo, kam marrë vendimin për të kandiduar për Kryetar të Komunës së Mitrovicës.
Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për Kryeministrin dhe për të gjithë Lëvizjen Vetëvendosje për përkrahjen unanime. Ashtu siç ka qenë nder e privilegj të punojmë ngushtë e parimisht në Qeveri, të njëjtën do ta bëjmë edhe në Veri.
Konteksti gjeopolitik kërkon guxim, vendosmëri dhe urtësi për të mbrojtur themelet e këtij qyteti, dhe për ta përfaqësuar atë është një nder i madh dhe një amanet i shenjtë nga brezat para nesh.
Mitrovica do të ketë një trajtim të ri, me projekte konkrete zhvillimore dhe me zhvendosjen e disa institucioneve shtetërore në Mitrovicë, që do t’ia rikthejnë qytetit rolin që e meriton.
Me mbështetjen tuaj, më 12 tetor do të fillojmë ciklin e punëve të mira që na presin së bashku!
Na priftë e mbara!
The post Reagon Peci pas zyrtarizimit të kandidaturës: Mitrovica do të ketë një trajtim të ri appeared first on GazetaBlic.