Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
Bytyqi tha se një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese duhet parë si një moment kyç në zhvillimin institucional të vendit.
Ajo tha se ky interpretim është sinjal i qartë se legjitimiteti nuk ndërtohet vetëm mbi numra, por mbi respektimin e ligjshmërisë dhe Kushtetutës.
“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet parë si një moment kyç në zhvillimin institucional të vendit.Ai jo vetëm që ndikon në ekuilibrin ndërmjet pushteteve, por gjithashtu sinjalizon qartë se çështjet politike gjithnjë e më shumë po zgjidhen nëpërmjet interpretimit juridik – gjë që përçon një mesazh për të gjitha institucionet për të vepruar brenda kornizës kushtetuese”
“Pra ky vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi rëndësinë e respektimit të rregullave procedurale dhe substanciale gjatë konstituimit të institucioneve të larta shtetërore. Ky interpretim është një sinjal i qartë se legjitimiteti nuk ndërtohet vetëm mbi numra, por mbi respektimin e ligjshmërisë dhe Kushtetutës” tha Bytyqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
Gjykata në vendimin e saj vlerësoi se Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës, pasi procesi i filluar më 15 prill nuk ka përfunduar me zgjedhjen e organeve drejtuese. Kjo, sipas saj, e bën të pavlefshme çdo veprim tjetër që pretendon të ketë marrë legjitimitet nga një seancë që nuk ka përmbushur elementet themelore të konstituimit.
Gjykata theksoi se Seanca Konstituive është një akt kushtetues, i cili mund të quhet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Për më tepër, ajo rikujtoi se Kushtetuta parasheh që ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve.
Në këtë aktgjykim, Gjykata e Kushtetuese gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit në mirëbesim ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare për të siguruar funksionalitet institucional. E drejta për të propozuar Kryetarin, që i takon grupit më të madh parlamentar, vjen me detyrimin për të kërkuar konsensus dhe kompromis, dhe nuk mund të përdoret si instrument për bllokim institucional.
/Gazeta Blic/
Lajmi i fundit nga Kushtetuesja: Për 30 ditë duhet të përfundojë seanca konstituive
The post Ish-deputetja e AAK-së pas vendimit të Kushtetueses- Sinjal i qartë se legjitimiteti nuk ndërtohet vetëm mbi numra! appeared first on GazetaBlic.