Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka folur lidhur me aktgjykimin që ka nxjerrë Gjykata Komerciale që aprovoi kërkesëpadinë e një biznesi kundër ZRRE-së, ndaj vendimit për daljen në tregun e hapur energjetik.
Sipas tij, aktgjykimi është edhe më i rëndë për ZRRE-në se aktvendimi i parë në kuptimin juridik, sepse, thotë se i anulon ZRRE-së komplet njoftimin, dhe njëherësh e urdhëron Rregullatorin që të sjellë vendim administrativ me arsyetim pse po e nxjerrë biznesin konkret në tregun e lirë.
“Ne nuk kemi pasur mundësi ligjore si Odë Ekonomike ta bëjmë në emër të bizneseve padi, por mundësia e vetme ligjore ka qenë të bashkëpunojmë me juristët e Odës, e me juristët e kompanive dhe me zyrat e avokatëve, që çdo biznes në mënyrë individuale të bëjë padi dhe këtë po e bëjmë edhe sot. Çdo biznesi po ia përgatisim padinë me të dhënat e biznesit, në konsultim me biznesin që të atakojë aktin e njoftimit”, tha Rafuna në RTK.
Sipas kreut të Odës Ekonomike, ZRRE-ja është dashur qysh dje ta pezullojë për të gjitha kompanitë njoftimin për daljen në tregun e lirë. “Sepse nuk ka arsye logjike e juridike që një kompani që ka një aktvendim me mbetet me çmimin e rregulluar, ndërsa kompania tjetër që është në pritje të aktvendimit nga Gjykata Komerciale të mbetet në tregun e lirë dhe të dëmtohet, kur dy kompanitë e prodhojnë të njëjtin produkt. Këtu e prishë konkurrencën, e çrregullon komplet biznesin dhe e dëmton ekonominë e vendit dhe qytetarët”, vijoi tutje Rafuna.
Ai i ka bërë thirrje ZRRE-së që ta pezullojë vendimin deri kur të dakordohen për momentumin që të dilet në tregun e lirë energjetik.
“Sot iu kemi drejtuar edhe kryeministrit që për shkak të rrethanave globale është një arsye më e fortë e shtesë që të pezullohet dalja e bizneseve në tregun e lirë, për shkak të luftës Iran-Izrael. Është ngritur çmimi i naftës, ani pse dje kishte një stabilizim për shkak të një armëpushimi, mirëpo shumica e odave evropiane na kanë njoftuar që shumë qeveri evropiane kanë filluar të përgatitin paketa ndihmëse pikërisht te energjia elektrike t’u ndihmojnë bizneseve dhe qytetarëve ,sepse pritet një rritje e re, një inflacion i ri si rezultat i luftës Iran Izrael. Kërkesa është që të pezullohet sepse nuk është momentumi i duhur”, tha ai.
The post Rafuna: Shumica e bizneseve kanë dorëzuar padi kundër ZRRE-së appeared first on GazetaBlic.