Mbi 20 mijë kilogramë mish të kontaminuar me bakterin salomnellë ishin hasur qershorin e kaluar në depon e kompanisë së mishit, “Meka Halal Food”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte urdhëruar asgjësimin e tij ose kthimin e mishit në vendin e origjinës me qëllim të mbrojtjes të shëndetit të qytetarëve.
Përpos në Kosovë, sasi e madhe e mishit të kontaminuar me salmonellë ishte kapuar edhe në Shqipëri.
Por çfarë është Salmonella
Salmonella është një bakterie që shkakton një nga infeksionet ushqimore më të zakonshme tek njerëzit — salmonelozën. Ajo gjendet kryesisht në zorrët e njerëzve dhe kafshëve dhe përhapet përmes konsumimit të ushqimeve të kontaminuara, si mish i papërpunuar mirë, vezë të pagatuara, produkte të qumështit të papasterizuar apo perime të palara mirë.
Si manifestohet infeksioni?
Simptomat shfaqen zakonisht 6–72 orë pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe përfshijnë:
Diarre
Të vjella
Temperaturë
Dhimbje barku
Dobësi të përgjithshme
Në shumicën e rasteve, infeksioni kalon vetvetiu brenda disa ditësh, por te fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët, infeksioni mund të përhapet në gjak ose organe të tjera, duke shkaktuar komplikime serioze dhe ndonjëherë edhe vdekje.
Sa e rrezikshme është?
Ndërsa shumica e njerëzve e kalojnë infeksionin pa pasoja afatgjata, Salmonella mund të jetë shumë e rrezikshme kur nuk trajtohet me kujdes, veçanërisht në rastet kur bakteria përhapet jashtë traktit digjestiv. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se miliona njerëz infektohen çdo vit dhe mijëra humbin jetën nga komplikimet e salmonelës.
The post Çfarë është bakteria Salmonella dhe sa e rrezikshme është? appeared first on GazetaBlic.