Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës që ka miratuar kërkesën e një biznesi për pezullimin e përjashtimit nga shërbimi universal i energjisë, raporton GazetaBlic.
Ajo e cilëson këtë vendim si hap të parë drejt ndalimit të padrejtësive në sektorin e energjisë dhe si precedent të rëndësishëm kundër politikave të ZRrE-së.
Bajrami ka kritikuar ashpër reagimin e ZRrE-së ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si arrogant dhe jo-transparent.
Ajo ka kërkuar që gjykatat të trajtojnë me prioritet paditë e tjera të bizneseve, të shqyrtojnë rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, si dhe ka bërë thirrje për hetime ndaj të ashtuquajturës “mafi energjetike”.
Sipas saj, nuk mund të ketë treg të lirë pa konkurrencë reale, transparencë dhe mbrojtje të konsumatorit.
Postimi i plotë;
Vendimi i Gjykatës Komerciale është hapi i parë drejt ndalimit të padrejtësive në sektorin e energjisë
Përshendes vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila më 18 qershor 2025 paska miratuar kërkesën e një biznesi për pezullimin e përjashtimit nga shërbimi universal. Edhe pse bëhet fjalë për një rast individual, ky vendim krijon precedent të rëndësishëm duke e vënë në pikëpyetje gjithë procesin e imponuar nga ZRrE për kalimin në tregun e ashtuquajtur të hapur, i cili vetëm si i tillë nuk ekziston.
Në anën tjetër shprehim keqardhje që ZRrE në vend se të reflektojë, paska zgjedhur të dalë publikisht me një deklaratë arrogante, duke e paraqitur vendimin si të parëndësishëm dhe duke u munduar të minimizoj ndikimin e tij. Kjo tregon për mungesë përgjegjësie dhe mosrespektim të vendimeve të organeve të drejtësisë dhe për vazhdimin e një politike të komplet të gabuar, të papërgjegjshme dhe jo-transparente. Por, ZRrE duhet ta dij ndikimin e këtij vendimi sepse nëse një biznes ka fituar të drejtën për pezullim të përkohshëm për shkak të mungesës së kushteve të barabarta dhe planifikimit, atëherë të gjitha bizneset e tjera të përjashtuara nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike janë në të njëjtën situatë dhe kanë të njëjtat të drejta. Vendimi nuk është thjesht “teknik” apo “individual” – është tregues i qartë i një procesi të dështuar dhe të papërgatitur nga ZRrE e mbështetur nga Qeveria.
Pres që:
• Gjykata Komerciale të shqyrtojë me prioritet paditë e tjera të deponuara nga shoqatat dhe biznese, tanimë janë dhjetra padi të tilla ku qindra biznese të përjashtuara nga furnizimi universal u janë drejtu gjykatave duke kërkuar një periudhë tranzicioni dhe mbështetje nga ana e qeverisë.
• Gjykata Komerciale gjithashtu të trajtojë me urgjencë edhe vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, vendim që rëndon drejtpërdrejt mbi ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla.
• Organet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë Speciale, të nisin hetime të hollësishme për të ashtuquajturën “mafi energjetike”, për mënyrën si është menaxhuar importi dhe eksporti i energjisë, ndarja e tenderëve në KEK dhe ndikimi i grupeve të interesit në politikat energjetike.
Nuk mund të kemi liberalizim tregu pa u siguru fillmimisht që kemi konkurrencë reale, pa transparencë dhe pa mbrojtje të konsumatorit dhe bizneseve. Nuk mund të kemi institucione rregullator dhe organe vendimmarrëse që e përdorin “tregun e lirë” si justifikim për të rritur çmimet dhe për ju shërbyer interesave të tregtarëve të energjisë.
Pezullohet vendimi i ZRRE-së për treg të hapur deri në vendim të Gjykatës
The post Bajrami: Vendimi i Gjykatës Komerciale është hapi i parë drejt ndalimit të padrejtësive në sektorin e energjisë appeared first on GazetaBlic.