Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, me të cilin pretendohej se rasti kundër administrimit të drejtësisë ishte dashur që të iniciohet nga trupi gjykues në rastin për krime lufte.
Vendimi është marrë më 19 qershor 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e cila rrëzoi edhe pretendimin e Thaçit se caktimi i saj në këtë çështje ishte bërë në kundërshtim me Ligjin, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas kronologjisë së procedurave, më 29 nëntor 2024, ishte konfirmuar pjesërisht aktakuza ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Më 12 shkurt 2025, Prokuroria kishte bërë ankesë kundër aktakuzës së konfirmuar dhe më 3 prill Gjykata e Apelit vendosi që çështja t’i kthehet gjyqtares së procedurës paraprake për rishqyrtim.
Më 14 prill 2025, gjyqtarja procedurës paraprake e ndryshoi vendimin në përputhje me vendimin e Apelit dhe dy ditë më pas e dorëzo atë. Kurse, më 8 maj 2025, mbrojtja e Thaçit kishte dorëzuar mocionin e saj lidhur me këtë çështje.
Në mocionin e saj, mbrojtja e Thaçit ka kontestuar kompetencat e gjyqtares së procedurës paraprake për të shqyrtuar rastin aktual të tij.
Sipas mbrojtjes, këto procedura si kjo e rishqyrtimit dhe konfirmimit të aktakuzës bien në juridiksionin e trupit gjykues në rastin për krime lufte nga i cili e ka origjinën edhe kjo çështje.
Po ashtu, Thaçi pretendon se gjyqtarja e procedurës paraprake në këtë çështje është caktuar në kundërshtim me ligjin pasi më përpara kishte vepruar si gjyqtare e vetme gjatë hetimit për veprat që pretendohet se i ka kryer Thaçi dhe të tjerët.
Mbrojtja thotë se trupi gjykues në çështjen për krime lufte ka detyrim që gjykimi të jetë i drejtë, i shpejtë dhe që procedurat të zhvillohen duke i respektuar të drejtat e të akuzuarve.
Ata thonë se trupi gjykues nuk mund ta përmbush këtë detyrim nëse një panel tjetër është ngarkuar me çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e çështjes së tij.
Mbrojtja pretendon se trupi gjykues në çështjen për krime lufte duhet të ketë kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive mbi të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe pretendimet për mosrespektim të gjykatës dhe ndërhyrje tek dëshmitarët.
“…prandaj ishte detyrë e Panelit gjyqësor II që të mbikëqyrte hetimin lidhur me veprat e pretenduara në çështjen aktuale, të përcaktonte nëse ato justifikonin një aktakuzë dhe një çështje të veçantë, dhe të vendoste nëse një Panel tjetër duhej të ngarkohej”, thuhet në vendimin i cili citon parashtrimet e mbrojtjes.
Mbrojtja gjithashtu pretendon se procedurat aktuale kanë minuar autoritetin e trupit gjykues në rastin për krime lufte për të garantuar gjykim të drejtë në atë çështje.
“Trupi gjykues është privuar nga mundësia për të parandaluar dhe trajtuar pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët; (ii) çdo vendim që do të merret nga Trupi gjykues II mbi dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët e Çështjes 06 – për të cilat ZPS pretendon se janë të ndikuara – rrezikon të shkelë prezumimin e pafajësisë së Z. Thaçi dhe të paragjykojë rezultatin e çështjes aktuale; (iii) aftësia, koha dhe mjetet në dispozicion të Z. Thaçi për përgatitjen e mbrojtjes në Çështjen 06 janë ndikuar ndjeshëm nga procedurat aktuale; dhe (iv) Trupi gjykues II nuk mund të garantojë të drejtat e Z. Thaçit si i paraburgosur, meqë ai tashmë i nënshtrohet një regjimi të ndarë paraburgimi në kuadër të procedurave aktuale”, citohet të këtë parashtruar mbrojtja e Thaçit.
Mbrojtja e Thaçit ka argumentuar gjithashtu se gjyqtarja e vetme mund të veprojë vetëm atëherë kur nuk është ngarkuar ndonjë trupi gjykues për të menaxhuar pretendimet për ndërhyrje në çështjen për krime lufte. Sipas tyre, në këtë rast ishte një trup gjykues i caktuar lidhur me këtë çështje.
“Kryetarja e Dhomave i dha Gjykatësit të Vetëm një mandat “të përhershëm” mbi çështjet hetimore, rol i cili nuk parashikohet nga Ligji apo Rregullorja, të cilat përkundrazi parashikojnë që çdo caktim duhet të jetë i përkohshëm; dhe (iii) Kryetarja caktoi si Gjykatës të Procedurës Paraprake në të gjitha çështjet të njëjtët dy gjyqtarë që më parë kishin vepruar si Gjykatës të Vetëm, në kundërshtim me nenin 33 (1) (a) dhe (4) të Ligjit, i cili parashikon se një gjyqtar nuk mund të caktohet në role të njëpasnjëshme brenda të njëjtës çështje”, citohet të ketë parashtruar mbrojtja e Thaçit.
Si rrjedhojë, mbrojtja e Thaçit ka thënë se aktakuza e ndryshuar është e pavlefshme dhe duhet të hudhet poshtë për shkak të mungesës së juridiksionit, duke u mbështetur në faktin se është vepruar jashtë kompetencave.
Kurse, Prokuroria është përgjigjur se ky mocion duhet të hudhet poshtë në tërësi pasi që nuk ka bazë ligjore dhe ngre çështje të papranueshme.
Prokuroria pretendon se argumentet e Thaçit për kompetencat e trupit gjykues në çështjen për krime lufte bien ndesh me Ligjin dhe Rregulloren.
Sipas tyre, autoriteti për të kryer hetime dhe ngritur aktakuza i takon vetëm ZPS-së dhe se mbrojtja e Thaçit është duke e shpërfillë ligjin e zbatueshëm para DhSK-së, duke u përpjekur të sjellë rregulla të përdorura nga gjykata të tjera.
“…kompetencat e Trupit gjykues II për të menaxhuar procedurat në Çështjen 06 nuk shtrihen në procedura të tjera që përfshijnë akuza të ndryshme dhe të akuzuar të ndryshëm; (vi) neni 33(5) i Ligjit e ndalon në mënyrë eksplicite përfshirjen e gjyqtarëve të Trupit gjykues II në ndonjë procedurë penale që rrjedh nga shkeljet e nenit 15(2) të Ligjit; dhe (vii) pohimet e Mbrojtjes së Thaçit se Trupi gjykues II është penguar në zbatimin e masave ndaj shkeljeve të urdhrave të tij, se autoriteti i tij është minuar ose anashkaluar, dhe se nuk mund më të garantojë një gjykim të drejtë në Çështjen 06, janë të pabazuara”, citohet të ketë parashtruar Prokuroria.
Prokuroria gjithashtu pretendon se fakti që emërimi i gjyqtarit të vetëm u bë për mandat të përhershëm, është i gabuar, i pambështetur dhe i pasaktë.
“…nëse Mbrojtja e Thaçit dëshironte të kundërshtonte caktimin e Gjykatësit të Vetëm dhe po ashtu si Gjykatës të Procedurës Paraprake, duhej të kishte paraqitur një kërkesë për përjashtim sipas Rregullës 20 të Rregullores, përpara Kryetarit; (v) caktimi i Gjykatësit të Procedurës Paraprake është në përputhje me nenin 33(4) të Ligjit; dhe (vi) nuk ka arsye parimore për të ndarë Gjykatësin e Procedurës Paraprake nga çështjet mbi të cilat ka vendosur si Gjykatës i Vetëm”, thuhet në vendimin i cili citon Prokurorinë.
Në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake ka thënë se ngritja e një aktakuze dhe nisja e procedurave kundër një personi është e drejtë ekskluzive e Prokurorisë dhe i nënshtrohet vetëm mbikëqyrjes se gjyqtarit të procedurës paraprake për konfirmim ose jo të akuzave.
Sipas saj, asnjë ligj apo rregullore nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të udhëzuar Prokurorinë që t’i drejtohet gjyqtares së procedurës paraprake me një aktakuzë të re.
Ajo thotë se ndonëse veprat e pretenduara në këtë rast janë procedura që lidhen me çështjen për krime lufte, kjo nuk do të thotë se ky rast dhe ai për krime lufte janë raste të njëjta. Sipas saj, të dy çështjet përfshijnë persona të ndryshëm, vepra të ndryshme dhe një periudhë kohore të ndryshme.
“Përgjegjësia e Trupit gjykues për të siguruar drejtësinë e procedurës dhe të drejtat e të akuzuarit gjithashtu nuk i jep atij të drejtën për të vendosur nëse do të ndiqen apo jo penalisht veprat kundër administrimit të drejtësisë – të cilat përfshijnë katër persona të tjerë që nuk janë të akuzuar në Çështjen 06. Po të ishte kështu, gjyqtarët e gjykimit do të vepronin në thelb mbi një çështje të nenit 15(2) që rrjedh nga procedurat para tyre, në kundërshtim me nenin 33(5) të Ligjit”, thuhet në vendim.
Gjyqtarja e procedurës paraprake Masselot ka thënë se nuk është bindës argumenti i mbrojtjes së Thaçit se trupi gjykues nuk është në gjendje që të garantojë të drejtat e tij për një gjykim të drejtë dhe se këto të drejta tashmë janë cenuar.
Këtë konstatim, gjyqtarja Masselot e ka mbështetur në faktin se ndonëse ajo është ngarkuar në këtë çështje, kjo nuk ndikon në aftësinë e trupit gjykues për të garantuar të drejtat e Thaçit për gjykim të drejtë në rastin për krime lufte. Ajo thotë, se trupi gjykues në çështjen për krime lufte ka kontroll të plotë mbi procedurat e atij rasti.
Po ashtu, gjyqtarja Masselot thotë se është spekulim nga ana e mbrojtjes së Thaçit se gjetjet e trupit gjykues në rastin për krime lufte do ta bëjnë të pavlefshme çështjen aktuale. Ajo thotë se vendimi mbi akuzat në të dy çështjet është i ndryshëm dhe se panelet i zhvillon procedurat e tyre në mënyrë të pavarur.
Ndërsa, për pretendimin e dytë të Thaçit lidhur me emërimin e gjyqtares së procedurës paraprake, Masselot thotë se kjo bie në fushëveprimin e Rregullës 20 të Rregullores mbi “Përjashtimin ose Shkarkimin e Gjyqtarëve”.
Masselot thotë se në pozitën e gjyqtares së vetme ishte caktuar për të shqyrtuar kërkesat për autorizim gjyqësor dhe çështje që ndërlidhen me paraqitjet e Prokurorisë para ngritjes së aktakuzës. Ndërsa, në rolin e gjyqtares së procedurës paraprake, ajo thotë se ka kompetencë vetëm ta shqyrtojë aktakuzën dhe ta përgatis çështjen për gjykim.
“Pretendimet e Mbrojtjes janë gjithashtu kontradiktore dhe të pabesueshme kur argumentojnë se paanshmëria e Gjykatësit të Procedurës Paraprake është cenuar nga përfshirja e saj në çështjet hetimore si Gjykatës i Vetëm, ndërkohë që paanshmëria e gjyqtarëve të Trupit gjykues II nuk është”, thuhet në vendim.
Si rrjedhojë, të dy pikat e ngritura nga Thaçi u hodhën poshtë.
Ndryshe, Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliu janë ankuar për mangësi në aktakuzë në këtë çështja. Ndërsa, Thaçi ka kërkuar që t’i veçohet procedura në këtë rast deri sa të përfundojnë procedurat në rastin e tij për krime lufte.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Me 12 shkurt 2025, Prokuroria kishte bërë ankesë kundër aktakuzës së konfirmuar dhe me 3 prill 2025 Gjykata e Apelit vendosi që çështja të i kthehet gjyqtares së procedurës paraprake për rishqyrtim.
Me 14 prill 2025, gjyqtarja procedurës paraprake e ndryshoi vendimin në përputhje me vendimin e Apelit dhe dy ditë më pas e dorëzo atë. Thaçit iu shtua përgjegjësia për ‘nxitje’.
The post Hudhen poshtë pretendimet e Thaçit se rasti kundër administrimit të drejtësisë duhej iniciuar nga trupi gjykues në rastin për krime lufte appeared first on GazetaBlic.