Kush po e vjedh të ardhmen e Kosovës?
Nuk është problemi për ne që politikanët nuk po pajtohen mes vete, e disa prej tyre kanë mentalitet bllokuesi. Derisa kjo po ndodhë, Kosova po shembet nga brenda. Të gjithë indikatorët po tregojnë për përshkallëzim të situatës.
Në muajin e fundit, deficiti tregtar ka shkuar në €523.37 milionë (në muaj), ndërsa për gjashtëmujorin pothuajse e arrin tre miliardë euro. Pra, gjysma e ekonomisë dhe djersës që e gjenerojnë bizneset, shërbyesit dhe fermerët tanë po humbet jashtë vendit me tregti në mallra. Ne po blejmë gjithçka, e nuk po shesim dot.
Nuk po arrijmë as për së afërmi me prodhu atë që kemi nevojë për konsum. Jemi totalisht të varur nga importi dhe kjo na e humbë kontrollin mbi moderimin e çmimeve dhe çdo herë ua shton presionin bizneseve dhe prodhuesve vendorë.
Me këtë trend, rreth gjashtë miliardë euro shkon deficiti tregtar në mallra në vit. Kjo është një humbje sa gati dy buxhete të Kosovës. Sikur këto mjete të kishin qëndru në ekonomi, Kosova kishte pasur një rritje shumë herë më të lartë.
Më e keqja, nuk ka as shqësim e asnjë plan serioz me i adresu sfidat më të mëdha të vendit. As nuk janë tema e as shqetësim. Krejt ajo që bënet është kryesisht, jo për ekonomie e për popull, por për efekte elektorale, investime që sjellin vota. Ndërtohen ura fizike por urat në kokë nuk ekzistojnë.
Kosovën e kanë lëshuar rreth 37,000 persona në vitin e fundit sipas ASK. Jemi rreth 1.6 milionë banorë, por do të tkurremi edhe më shumë me këto trende. Pra, njerëzit nuk po shohin mundësi, e kohëve të fundit e kanë humbur shpresën. Rreth 300,000 persona janë larguar nga fshatrat nga një regjistrimi i popullatës tek tjetri, kryesisht për shkak të mungesës së mundësive.
Deri më tani këtë vit (pa qeveri me legjitimitet) janë alokuar, e shumica edhe shpenzuar, rreth 1.8 miliardë euro nga buxheti publik i Kosovës. Këto mjete po shpenzohen pa Kuvend, pa i kontrolluar askush, e pa pasur kush me kërku e ku me dhënë llogaridhënie.
A ka nevojë me shkrujt përsëri, pas qindra mijëra herë, për (keq)menaxhimin dhe (keq)rregullimin e sektorit të energjisë, ku bizneset tona po dhunohen e ku gjysma e ekonomisë po rrezikohet duke ju shumëfishuar kostoja e energjisë, e kështu ekonomia dhe produktet tona po bëhen edhe më pak konkurrente në treg?
Kjo nënkupton jo vetëm rritje të varfërisë, por gjithashtu stagnim dhe inflacion. Kur fuqia blerëse goditet, qytetarët dhe familjet bëhen më të varfëra kanë mundësi me ble më pak me të njëjtat para që i kanë në dispozicion. E kur i sulmon dhe i dhunon bizneset kryesore, çmimet rriten edhe më shumë.
Punësimi gjithashtu ka treguar trende të rënies në tremujorin e parë të vitit. Trusti ka raportuar një rënie shumë të thellë krahasuar me vitin paraprak, e ASK, e cila pa pasur plan në mes të qershorit deklaroi se do t’i publikojë të dhënat e punësimit për tremujorin e parë të vitit, ende nuk po i publikon po i vonon.
Krejt këta indikatorë tregojnë që Kosova po kalon në një situatë të jashtëzakonshme, dhe ku nuk ka as Parlament e as demokraci. Nuk ka llogaridhënie e as kontroll. Ekonomia sulmohet nga të gjitha anët, por nuk ka deputetë e Kuvend me e mbrojtë.
Dëmet që po shkaktohen janë të mëdha, disa prej tyre të pariparueshme. Kjo situatë jo vetëm që i humb shpresat në institucionet e vendit, por gjithashtu edhe për të ardhmen e vendit.
Nga kjo po humb Kosova më së shumti qytetarët dhe bizneset e saj. Nuk ka as institucione e as demokraci parlamentare. Ekonomira e saj është totalisht pa drejtim, ndërsa bizneset dhe qytetarët e saj në mëshirë të fatit. E fati në Ballkan din me qenë i pamëshirshëm.
Kosova ka nevojë për një kthesë urgjente politike, ku fokusohet tek qytetari, demokracia, ekonomia e saj dhe ku investohet që të ketë sa më shumë kthim për biznese dhe mirëqenien e qytetarëve.
The post Kush po e vjedh të ardhmen e Kosovës? appeared first on GazetaBlic.