Shtetet e Bashkuara të Amerikës po festojnë sot Ditën e Pavarësisë.
Amerika është aleati më i madh dhe miku i jashtëzakonshëm i Kosovës që ka ndihmuar në çlirimin dhe shtetndërtimin vendit.
Në lidhje me këto raporte dhe marrëdhniet mes dy vendeve ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputeti i LDK-së që aktualisht jeton në SHBA, Faton Bislimi.
Bislimi tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve janë të rrënjosura në besim, sakrificë dhe një përkushtim të përbashkët për lirinë dhe demokracinë.
Ai tha se sot më shumë se kurrë kemi nevojë ta ruajmë dhe forcojmë këtë partneritet jetik.
“Sot, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndjej thellë një mirënjohje që shkon përtej fjalëve – një mirënjohje që buron nga zemra e një populli që ka përjetuar dhimbjen e robërisë, por edhe shpresën dhe rilindjen përmes mbështetjes amerikane.Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve janë të rrënjosura në besim, sakrificë dhe një përkushtim të përbashkët për lirinë dhe demokracinë. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë ta ruajmë dhe forcojmë këtë partneritet jetik. Po, ka sfida. Ka dallime herë pas here. Por ajo që nuk duhet të harrojmë kurrë është se Amerika ka qenë dhe mbetet shtylla më e fuqishme që i ka qëndruar krah Kosovës në momentet tona më të vështira – dhe për këtë nuk guxojmë të lejojmë që veprimet tona të përçojnë pasiguri ose mungesë mirënjohjeje” tha Bislimi për “Gazeta Blic”.
Bislimi tha se në këto momente duhet të reflektojmë si shoqëri dhe pyesim veten se ‘a po sillemi si aleatë të denjë”.
Ai tutje potencoi se duhet të jemi të bashkuar, të mençur dhe largpamës sepse vetëm kështu Kosova do të ecë përpara.
“Në këtë ditë feste për kombin mik amerikan, le të reflektojmë si shoqëri: a po sillemi si aleatë të denjë? A po ndërtojmë një shtet që reflekton vlerat që na bashkuan me SHBA-në? Prandaj, na duhet mendësi që vendos Kosovën para gjithçkaje tjetër.Le të jemi të bashkuar, të mençur dhe largpamës. Vetëm kështu, Kosova do të ecë e para. Sepse Kosova që e nderon miqësinë me SHBA-të, është Kosova që e nderon vetveten” tha Bislimi në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
The post Bislimi: Sot më shumë se kurrë kemi nevojë ta ruajmë dhe forcojmë partneritetin jetik me SHBA-të! appeared first on GazetaBlic.