Pas dekadash ndalimesh dhe debatimesh, Zvicra po afrohet me një ndryshim historik në politikën e saj ndaj kanabisit. Komiteti i Shëndetit i Këshillit Kombëtar (SGK-N) ka dhënë dritën jeshile për një projektligj që synon legalizimin e kontrolluar të kanabisit për qëllime jo-mjekësore, duke hapur kështu rrugën për një rishikim të thellë të qasjes ndaj kësaj substance, shkruan 20minuten,
Aktualisht, konsumimi i kanabisit është i ndaluar për qëllime rekreative, megjithëse posedimi i sasive të vogla nuk ndëshkohet penalisht. Pavarësisht kësaj, kanabisi mbetet droga e paligjshme më e përdorur në vend, një fakt që ka nxitur debatet për një riorientim të politikës kombëtare.
Projektligji i ri parashikon një qasje të rregulluar në mënyrë strikte për të rriturit, pa e promovuar konsumin. Produktet do të shiten nga dyqane të licencuara ose në mënyrë të kontrolluar online, por jo për qëllime fitimi. Një taksë e posaçme do të vendoset mbi blerjet, e cila do të përdoret për financimin e sistemit shëndetësor dhe programeve të parandalimit e trajtimit të varësisë.
Përdoruesve të rritur gjithashtu do t’u lejohet të kultivojnë deri në tre bimë femra të kanabisit në shtëpi, një hap që synon të zvogëlojë varësinë nga tregu i zi.
Qëllimi i projektligjit është mbrojtja e shëndetit publik dhe e të rinjve. Dyqanet e licencuara do të jenë të detyruara të ofrojnë informacione dhe forma më pak të dëmshme të konsumit, si avulluesit në vend të cigareve. Reklamimi i produkteve të kanabisit do të ndalohet rreptësisht, ndërsa drejtimi i automjeteve nën ndikim të substancës do të vazhdojë të ndëshkohet me politikën zero tolerancë, transmeton albinfo.ch.
Nga ana tjetër, dënimet për shitjen dhe kultivimin e paligjshëm do të ashpërsohen, me qëllim që të goditet tregu ilegal.
Me miratimin e projektligjit nga SGK-N, procesi i konsultimit publik do të nisë nga fundi i gushtit dhe do të zgjasë tre muaj. Pas shqyrtimit të komenteve, drafti i rishikuar do t’i paraqitet Këshillit Federal, përpara se të kalojë në debatet e radhës në Këshillin Kombëtar dhe Këshillin e Shteteve.
Megjithatë, rruga drejt legalizimit përfundimtar mbetet e gjatë dhe me pengesa politike. Një referendum popullor duket i pashmangshëm, pasi partitë konservatore kanë sinjalizuar se do ta sfidojnë ligjin në kutitë e votimit, transmeton albinfo.ch.
The post Zvicra drejt dekriminalizimit të kanabisit, projektligji i ri hap rrugën për qasje të rregulluar appeared first on GazetaBlic.