Alejtin Berisha, drejtor gjeneral i Kolegjit Universum dhe Shkollës Finlandeze, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur për cilësinë në institucione shkollore private.
Ai ka thënë se pagesa nuk është e lartë, 100 për muaj, krahasuar me çerdhet për fëmijë që paguajnë 300 euro në muaj.
“Sa investon, aq merr”, thotë ai.
“Shumica e kopshteve në Kosovë sot kërkojnë 300 euro pagesë mujore për fëmijë, universitetet private marrin edhe më tutje një të tretën e asaj. Nëse në muaj është 300 euro për fëmijë në një kopsht, në shumicën e universiteteve private është veç 100 euro, kështu që nuk është ndonjë investim tepër i madh. Në fund të ditës është sa investon/paguan, aq merr. E dyta, Kosova ka shkuar prej 5.6 për qind të popullatës së arsimuar, me arsim të lartë, prej 99-ës që e kemi pasur, në gjithëpërfshirje mbi 80 për qind. Sot mbi 80 për qind e të diplomuarve në shkolla të mesme, shkojnë në arsim të lartë, nuk janë të gjithë të përgatitur për arsim të lartë, prandaj nuk është niveli i cilësisë”, ka thënë Berisha.
Ai ka theksuar se është fokusuar që të ndryshojë atë që mund ta bëjë, teksa thekson se partneriteti me Arizona State University i ka dërguar absolutisht në nivel krejt tjetër.
“Unë jam fokusuar ta ndryshoj atë që unë mundem dhe mos ta harxhoj shumë energjinë në atë që nuk mundem. Edhe në arsim të lartë, partneriteti që kemi me Arizona State University na dërgon absolutisht në nivel krejt tjetër që po them, edhe po t’i kishim paratë e botës nuk e di a do të mund ta sillnim në atë nivel, ku studenti për 3 vite në Kosovë, me profesorë të Kosovës por me kurrikulë të Arizona State University, me disa lëndë, 6 diku janë nga Arizona dhe vitin e 4 arrijnë të marrin master në shkenca kompjuterike, me 1/20 e kostos që i kushton nëse një student do të shkonte të studionte në SHBA. Për mua, është me rëndësi edhe kjo pjesa se si ua ndryshon njerëzve jetën dhe sa ndikon kjo. Unë nëse do të kisha mundësi do t’i dërgoja të gjithë studentët në top universitetet në SHBA, por a e kemi këtë mundësi, nuk e kemi. As nuk e kemi mundësinë të pranohemi e as t’i financojmë. E ne po ua ofrojmë ato mundësi këtu që me 1/20 e kostos që secilit student do t’i kushtonte të shkonte në SHBA, në top 100 të universiteteve siç është Arizona. Sa më shumë që e kontrollon arsimin e lartë, nuk dërgon në cilësi të lartë. P.sh.: arsimi parauniversitar është shumë më pak i rregulluar. Nëse i shikon shkollat private”, ka theksuar Berisha.
Ai ka thënë se në kurrikulën e tyre qëllimi është që nxënësit t’i bëjnë qytetarë të mirë.
“Ne e kemi një kurrikulë që e kemi implementuar në gjithë shkollën, që e kemi të përfshirë mirësjelljen në kurrikulën tonë. Qëllimi është që t’i bëjmë nxënësit tanë, qytetarë të mirë. Në 7 ato kompetencat transversale të kurrikulës së Finlandës, në qendër është zhvillimi i nxënësve tanë në qytetarë të mirë. Kjo është baza e saj. Tjetra, ne jemi inkluziv, s’jemi ekskluziv. E treta, sistemi finlandez dhe shkolla jonë e vlerëson më shumë barazinë se individualitetin, në aspektin që ne nuk bëjmë gara brenda shkollës. Vlerësimi, notimi është shumë individual, nuk është për t’u krahasuar”, ka potencuar drejtori i Shkollës Finlandeze.
Sa i përket zgjerimit, ai thotë se kanë 5 shkolla në Turqi, ndërsa që qëllimi jetësor është që modeli i ndërtuar në Kosovë të importohet nëpër botë në 100 shkolla.
“Ne fillimisht jemi zgjeruar në Turqi, i kemi pesë shkolla atje dhe qëllimi është t’i bëjmë 100 shkolla, modelin tonë nga Kosova ta importojmë nëpër botë. Kjo do të ishte qëllimi jetësor, që një inovacion që e kemi krijuar në Kosovë, ta shohim në krejt botën”, ka përfunduar Alejtin Berisha./Gazeta Blic/
The post Me mbi 20 vite përvojë në arsim, Berisha tregon planin strategjik për reformim të arsimit në Kosovë – flet dhe për rikualifikimin e popullit appeared first on GazetaBlic.