Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë.
Përmes një postimi të LDK-së në Facebook, Abdixhiku theksoi se 4 Korriku i vitit 1776 nuk është vetëm data e shpalljes së pavarësisë së ShBA-ve, por edhe simbol i luftës për liri, demokraci dhe të drejta universale për të gjithë popujt në botë.
“Miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm, ashtu siç e artikuloi qartë Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” tha Abdixhiku në urimin e tij raporotn “Gazeta Blic”.
Urimi i plotë:
Mesazhi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Urime Dita e Pavarësisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës
4 Korriku i vitit 1776 shënon një prej datave më të rëndësishme në historinë botërore – shpalljen e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ngjarje nuk është vetëm lindja e një shteti në kuptimin formal, por lindja e një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë.
SHBA-të pra janë shëmbulli më domethënës i angazhimit për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të sigurt. Për shumë shtete, përfshirë edhe shtetin tonë,
Republikën e Kosovës SHBA-të janë model frymëzimi dhe mbështetjeje.
Kontributi amerikan për lirinë, shtetformimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës është i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm.
Miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm, ashtu siç e artikuloi qartë Presidenti Historik, Dr. Ibrahim
Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Në këtë ditë të madhe, në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe emrin tim personal, uroj Qeverinë dhe popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë.
Urime 4 Korriku!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve!
The post Abdixhiku uron ShBA-në: Miqësia me Amerikën themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm! appeared first on GazetaBlic.