“…E abrogon parlamentin në tërësi, krejt këtë brez politik e çon në shpi. Thotë: nuk e keni kry detyrën, shkoni në shpi”.
Shfuqizimi i mandatit të deputetëve ishte një opsion që ish-kryeministri, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj e përmendi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në rast dështimi për konstituim të Kuvendit brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Por, në vlerësimin e profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, nuk duhet të imagjinohet një situatë e tejkalimit të afatit 30 ditësh, pasi sipas tij, diçka e tillë do të paralizonte shtetin.
Në këtë kontekst, ai theksoi se është detyrë kushtetuese e deputetëve të konstituojnë Kuvendin, për të mos e rrezikuar shtetin.
“Atëherë ne kalojmë në një situatë anabioze, amorfe, rënie e lirë thuhet në fizikë, shteti faktikisht bjen në situatë të mos-ekzistimit. Dhe situatat që vijnë, çfarëdo qofshin ato, nuk mund ta tejkalojnë këtë vendimin dhe afatin e Gjykatës Kushtetuese prej 30 ditësh… Nuk bëhet brenda 30 ditësh Kuvendi, ne kalojmë në situatë absurde, për herë të parë të vakumit institucional, pra të vënies në pikëpyetje të shtetit”, ka thënë Baraliu.
Teksa tha se as iniciativat e reja për adresim në Kushtetuese nuk japin zgjidhje tjetër, profesori tha se aktgjykimi – në rast dështimi për konstituim të Kuvendit brenda 30 ditësh – ndal edhe ciklin e mbledhjeve dhe përpjekjeve.
“Jo, nuk ka të drejtë, s’mund ta bëj sepse humbet (e drejta për të provuar konstituimin). Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar tashmë këtë pasusin, dispozitat që janë të parapara në rregullore të Kuvendit, që në rast të vështirësive në konstituim çdo 48 orë të vazhdohet seanca më nuk mund të ndodhë ajo, nuk mund të zbatohet… Këtë duhet ta kenë parasysh këta zotëritë e partive, që s’po mbushen mend dhe këmbëngulësish po qëndrojnë në pozicione anti-kushtetuese”, ka shtuar Baraliu.
Duke përmendur vakumin për situatën hipotetike, në Institutin e Kosovës për Drejtësi, vlerësuan se deklarata e Haradinajt është më shumë politike, sesa me bazë juridike.\
“As Kushtetuta e as aktgjykimi nuk e përcaktojnë një gjë të tillë. Dhe humbja e mandatit të deputetit parashihet vetëm me nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që flet për disa arsye tjera mirëpo aty nuk është mos-konstituimi i Kuvendit për 30 ditët që i ka përcaktuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Melos Kolshi, hulumtues në IKD.
Aktgjykimi i 26 qershorit u jep deputetëve kohë që të konstituojnë legjislaturën e re të Kuvendit brenda 30 ditësh, teksa i referohet edhe aktgjykimit të vitit 2014, ku përmendet që dështimi për diçka të tillë nuk shkakton zgjedhje të reja.
The post Shfuqizimi i mandateve “deklaratë politike”, shkelja e afatit “e vë në pikëpyetje shtetin” appeared first on GazetaBlic.