Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për tentim të shkeljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në FIVE të Dukagjinit, Guri ka deklaruar se kërkesat e Kurtit ndaj deputetëve të Kuvendit për të anashkaluar aktgjykimin e Kushtetueses janë të papranueshme dhe përbëjnë rrezik për rendin demokratik në vend.
“Zotëri Kurti po kërkon nga deputetët e Kuvendit që ta shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ta shkelin Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, Kushtetuta dhe vetë Gjykata Kushtetuese për mua nuk nënkupton atë çfarë nënkupton për LVV-në, pasi gjatë qeverisjes se tyre e kanë shkel disa herë. Dhe me një gjuhë popullore “pesë parë si japin’ për Gjykatën Kushtetuese. Kështu që ata nuk mund të ma imponojnë, që edhe unë të mendoj njëjtë Gjykatën Kushtetuese, siç e mendon Lëvizja Vetëvendosje…”, ka thënë Guri në FIVE.
Ai nënvizoi se LDK nuk do të bëhet pjesë e asnjë vendimi që synon devijimin nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e kësaj çfarë ata po kërkojnë. Afati është 30 ditë. Më e rëndësishme se afati është neni 187, ku aty thotë qartë që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet ashtu siç është zgjedhur deri tash. Deri tash ne e dimë që gjithmonë propozimi ka ardhur prej partisë së parë dhe është zgjedhur me votimin të hapur. Kështu që kjo është duke treguar që ata nuk janë të interesuar për të gjetur një zgjidhje, janë të interesuar të shkatërrojnë rendin kushtetuese në Kosovë. Edhe për këtë arsye ne jemi ardhur në një pozitë të tillë, ku edhe pas 41 seancave nuk mundemi me gjetë një zgjidhje”, ka shtuar Guri.
The post Guri: VV nuk po kërkon zgjidhje, janë të interesuar ta shkatërrojnë rendin kushtetues appeared first on GazetaBlic.