Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim ministren e Mbrojtjes të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Yuriko Backes.
Osmani gjatë këtij takimi shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Forcave të Armatosura të Luksemburgut në kuadër të misionit të KFOR-it, duke vlerësuar lart përkushtimin e këtij vendi në promovimin e paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin.
Gjithashtu, e para e shtetit të Kosovës, ritheksoi mirënjohjen për mbështetjen e Luksemburgut ndaj Zyrës së Presidentes në përmbushjen e objektivave të përbashkëta strategjike, si dhe për iniciativat e Presidentes në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
“Presidentja theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, si komponent thelbësor për forcimin e sigurisë rajonale dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Ajo gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut përmes projekteve zhvillimore në Kosovë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike të përkrahjes së mëtejshme nga Luksemburgu për procesin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare, duke theksuar vlerat e përbashkëta demokratike dhe rolin që luan Kosova si një faktor i qëndrueshëm i stabilitetit në rajon.
The post Osmani vlerëson lart kontributin e Luksemburgut për sigurinë e Kosovës appeared first on GazetaBlic.