Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së ka reaguar ndaj zhvillimeve në Kuvend, duke kritikuar partinë e parë për uzurpimin antikushtetues të institucionit, raporton GazetaBlic.
Ai e cilësoi si një pengesë parlamentare të paligjshme dhe të qëllimshme ndryshimin e rendit të ditës nga ana e partisë së parë.
Abdixhiku theksoi se ky veprim është në kundërshtim me kushtetutën dhe do të ketë përgjegjësi ligjore.
Ai gjithashtu kërkoi që të nisë një diskutim të hapur parlamentare për të trajtuar krizën dhe problemet që po ndodhin pas perdeve të krizave të shumta.
Postimi i plotë;
Sot, qëndruam në sallë.
Deputetja Bajrami mbajti dhe fjalë.
Kjo fjalë s’mund t’i ndalej siç ju ndal deputetit Zogaj.
Le të jetë një fillim i diskutimeve parlamentare pas uzurpimit antikushtetues që po i bën Kuvendit partia e parë. Ata le të ikin, ne le të flasim.
Sot, ishte hera e 41-të me radhë, që partia e parë nuk arrinë të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka; atë të krijimit të shumicës. Sot, sërish, partia e parë vendosi me plot arrogancë të injorojë rendin e ditës. Atë rend dite që e kishim dakorduar paraprakisht të gjithë ne bashkë; në takimin e parë institucional.
E kishim dakorduar ne, të gjitha partitë politike, në takimin me z.Konjufca – kryetarin paraprak të legjislaturës paraprake. Rendi i ditës u ndryshua; kokë në veti pas shtatë seancave. Askush nuk e ka këtë të drejtë; aq më pak një ‘më i moshuar’ mes 120 deputetëve të zgjedhur në vend.
Kjo pengesë parlamentare tashmë është dhe jokushtetuese. Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije e qëllim. Pra është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë.
Dhe derisa partia e parë ka kapur një ulëse, ajo s’mund të kapë Kuvendin. Le të vijnë e ikin.
Ne le të flasim. Para shumicës qytetare në vend. T’i shtrojmë të gjitha çështjet që pas perdeve të krizave po marrin peng të ardhmen e vendit.
The post “Ata ikin, ne flasim” – Abdixhiku: VV’ja mund ta kapë një ulëse, por jo Kuvendin appeared first on GazetaBlic.