Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj reperit Feronit Shabani – Fero.
Fero, i arrestuar më 11 korrik të vitit 2023 për sulm fizik ndaj ish-bashkëshortes së tij, është ngarkuar nga Prokuroria në Gjilan për kryerjen e tri veprave penale, mëson Paparaci.
Paparaci e ka siguruar aktakuzën ndaj Feronit Shabanit.
Reperi është ngarkuar me tri vepra penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje.
Ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar Bedrie Shabani, avokatja e reperit Feronit Shabani.
Avokatja Shabani i tha Paparacit të mërkurën se nuk mund të japë informacione meqë rasti ndërlidhet me “çështje familjare”.
“Më vjen keq, por nuk mund të japë informacione momentalisht sepse akoma nuk kemi pranuar aktakuzën”, tha ajo.
Shabani tha se aktakuza ende nuk është konfirmuar nga Gjykata.
“Aktakuza nuk është konfirmuar nga gjykata, ajo nuk ka bazë ligjore, nuk ka prova dhe ne besojmë se do të vërtetohet pafajësia e klientit tonë”, tha ajo.
Shabani, i cili dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht dhe kanosur ish-bashkëshorten e tij, A.I.. Hetimet për rastin kishin nisur në drejtim të veprës penale “dhunë në familje”.
Në korrik të vitit 2023, Prokuroria kishte caktuar masë të sigurisë prej 30 ditësh paraburgim ndaj reperit.
Pas daljes nga paraburgimi, ai ishte shfaqur me një imazh krejtësisht tjetër dhe kishte njoftuar dorëheqjen nga muzika dhe përkushtimin nga ai moment ndaj fesë islame.
Së fundmi, pas rreth dy vitesh pauze nga muzika, ai është rikthyer sërish profesionit të vjetër. Dy muaj më parë, ai publikoi projektin e tij të parë pas dy vitesh.
The post Sulmi ndaj ish-bashkëshortes, Fero akuzohet për tri vepra penale appeared first on GazetaBlic.