E ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka thënë se historia e Kosovës ngjan me atë të Amerikës.
Këtë koment, ajo e tha gjatë ceremonisë së organizuar për nder të 249-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së, në Prishtinë.
Para të pranishmëve të shumtë, diplomatja amerikane tha se nuk e ka pritur që do të jetë në detyrë për këtë përvjetor, por tha se Kosova për të është një vend i jashtëzakonshëm për të shërbyer.
“Ky komunitet është i mrekullueshëm për të qenë pjesë e tij”, deklaroi Prattipati.
Ndër të tjera, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, tha se pak javë më parë nisën festimet për të shënuar 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane.
“Këtë vit, po kjo Ushtri Amerikane u stërvit krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës në ‘Defender 25’, që është ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane në Evropë – me Kosovën si vend mikpritës. Kjo është më shumë se simbolikë e miqësisë sonë, është më shumë se kaq. Është me të vërtetë domethënëse. Është dëshmi e forcës së partneritetit tonë në fushën e sigurisë. Së bashku jemi më të sigurt dhe më të fortë”, tha diplomatja amerikane.
Lexojeni fjalën e plotë të së Ngarkuarës me punë Anu Prattipati në pritjen zyrtare me rastin e 4 Korrikut, 1 korrik 2025
Presidente Osmani, kryeministër në detyrë Kurti, anëtarë të korit diplomatik, miq e kolegë.
Mirëmbrëma. Kam nderin dhe privilegjin t’ju uroj mirëseardhje në festimin e 249-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Së pari, më lejoni që të falënderoj të gjithë vullnetarët tanë të jashtëzakonshëm, sponsorët dhe ekipin e Ambasadës sonë që ndihmuan për të mundësuar këtë ngjarje.
Në veçanti më lejoni që secilit të ftuar t’i them faleminderit që jeni këtu me ne sonte.
Kam pasur rastin të festoj 4 Korrikun në shumë vende të ndryshme, por nuk mund ta paramendoj ndonjë vend më të mirë për ta shënuar këtë ditë sesa këtu, me ju, në vendin më pro-amerikan në botë.
Kjo është hera e parë që e festoj Ditën Pavarësisë së ShBA-së në Kosovë. Kur mbërrita verën e kaluar si Zëvendëse Shefe e Misionit, sigurisht që nuk e prisja se do të shërbeja si e Ngarkuar me Punë për këtë festë – dhe është nder të shërbej në këtë rol.
Çfarë vendi i jashtëzakonshëm për të shërbyer. Ky komunitet është i mrekullueshëm për të qenë pjesë e tij.
Jemi mbledhur sonte për të kujtuar momentin e vitit 1776 kur Etërit Themelues nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në Filadelfia të Pensilvanisë.
Ata ia kushtuan jetën, pasurinë dhe nderin e tyre të shenjtë bindjes revolucionare se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se qeveritë marrin legjitimitetin nga pëlqimi i të qeverisurve.
Në këtë vit të 249-të, gjithashtu shënojmë që po i afrohemi një përvjetori historik madhështor – 250-vjetorit të Amerikës.
Gjatë këtij viti të 250-të, mezi presim që së bashku me ju të festojmë një sërë përvjetorësh të rëndësishëm amerikanë.
Pak javë më parë, i nisëm këto festime duke shënuar 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane – degës më të vjetër të forcave tona ushtarake – e cila ishte në vijën e parë të luftës për pavarësi.
Këtë vit, po kjo Ushtri Amerikane u stërvit krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës në „Defender 25”, që është ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane në Evropë – me Kosovën si vend mikpritës.
Kjo është më shumë se simbolikë e miqësisë sonë, është më shumë se kaq. Është me të vërtetë domethënëse.
Është dëshmi e forcës së partneritetit tonë në fushën e sigurisë. Së bashku jemi më të sigurt dhe më të fortë.
Gjithashtu, jemi më të sigurt dhe më të fortë falë përkushtimit të palëkundur të Kosovës dhe përputhshmërisë me prioritetet e politikës amerikane. Faleminderit për besimin tuaj.
Kemi punuar së bashku që amerikanët dhe kosovarët të jenë të sigurt nga kriminelët kibernetikë, kemi ngritur zërin kundër antisemitizmit dhe, rishtazi, kemi qenë të bashkuar në vendosmërinë tonë për të parandaluar aktorët keqdashës nga blerja e armëve nukleare.
Kosova, gjithashtu, ka qenë ndër përkrahëset më të forta të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet tona për të mbrojtur kufirin tonë.
Jemi miq dhe partnerë në përpjekjet që jo vendet tona, por edhe rajoni, të jenë më fortë, më të sigurt dhe më të begatë.
Në aspektin ekonomik, po shohim rritje të prekshme në marrëdhëniet tona tregtare.
Vetëm muajin e kaluar, kemi parë disa biznese të reja amerikane duke hapur dyert pikërisht këtu në Kosovë. Disa prej tyre janë këtu me ne sonte.
Këto janë çaste të rëndësishme në thellimin e marrëdhënieve tona ekonomike.
Më lejoni që për një çast të ndalem për të reflektuar se çka nënkupton ky partneritet.
Për ne, nuk ka të bëjë vetëm me atë se që ShBA-ja e arrin për vete. Ka të bëjë me faktin që fuqia e Amerikës ndihmon për të fuqizuar edhe partnerët e saj.
Sepse një Amerikë më e begatshme do t’i lartësojë edhe të tjerët – prej rritjes së marrëdhënieve ekonomike e deri te bashkëpunimi në siguri që forcon stabilitetin rajonal. Kosova është shembull i qartë i këtij partneriteti që sjell rezultate.
Dhe ne e kuptojmë rrugëtimin e Kosovës. Historia juaj ngjan me tonën.
E kemi kaluar edhe ne këtë rrugë më parë dhe vazhdojmë ta ecim së bashku me ju.
Ndaj, ndërsa i afrohemi përvjetorit të 250-të të Amerikës vitin tjetër, le të nderojmë arritjet që po i realizojmë së bashku që tani.
Përvojat tona të përbashkëta, puna jonë e përbashkët dhe e ardhmja jonë e përbashkët më bëjnë krenare që shërbej këtu.
Faleminderit që po festoni bashkë me ne sonte. Faleminderit për miqësinë dhe përkushtimin tuaj ndaj partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
The post Prattipati në 249-vjetorin e pavarësisë: E kuptojmë rrugëtimin e Kosovës – historia juaj ngjan me tonën appeared first on GazetaBlic.