Bashkimi Europan ka shkruar për takimin që komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos e pati sot në Shkup me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin në të cilin u diskutua për Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin.
Në komunikatën e lëshuar nga BE-ja, thuhet se nga Plani i Rritjes shtetet tjera kanë marrë fondet e para të parafinancimit, ndërsa përmendet më pas Kosova, e cila u përfaqësua atje nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Deri tani, pagesat paraprake janë kryer për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Komisioni inkurajon Kosovën ta përshpejtojë procesin e miratimit për t’i vënë në fuqi marrëveshjet për Lehtësim dhe Hua, me qëllim zhbllokimin e pagesës paraprake. Komisioni gjithashtu mirëpret miratimin nga Bosnje e Hercegovina të një projekt-Agjende Reformash më 27 qershor”, thuhet në komunikatë.
Liderët e rajonit, siç thuhet në komunikatë, “riafirmuan vendosmërinë e tyre për të përfituar nga mundësitë që ky Plan sjell për rajonin”.
“Plani i Reformës dhe Rritjes, në kuadër të të cilit partnerët kanë zhvilluar Agjendat e Reformës, është një mjet dhe angazhim i përbashkët ambicioz për të zbatuar mbi 600 reforma të guximshme, për të cilat BE-ja po ofron 6 miliardë euro mbështetje financiare”, tregon BE.
Komunikata, ndër tjerash, thekson planet për “investime të reja kryesore në energjinë e pastër deri në 487 milionë euro” në rajon.
“Duke u mbështetur në punën e bërë deri tani, pjesëmarrësit ranë dakord t’i intensifikojnë reformat, duke riafirmuar përkushtimin e tyre politik dhe duke punuar për të ndërtuar konsensus kombëtar të gjerë, në mënyrë që masat kyçe të miratohen me rreptësi dhe në kohë, si dhe të forcohet komunikimi dhe dukshmëria për të siguruar që qytetarët dhe bizneset të shohin përfitimet konkrete të Planit të Rritjes dhe të kuptojnë reformat që ai sjell”, thuhet në komunikatë.
BE-ja thotë se “në javët në vijim, Komisioni do ta finalizojë vlerësimin e zbatimit të reformave dhe do të vazhdojë me miratimin e vendimeve për pagesat që lidhen me rundin e parë të raportimit”.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni më 8 nëntor 2023. Ky Plan synon t’i integrojë vendet e Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së, ta përparojë bashkëpunimin ekonomik rajonal, t’i thellojë reformat e lidhura me BE-në dhe ta rrisë financimin para-anëtarësimit për ta përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Plani i Rritjes inkurajon përgatitjen e partnerëve për anëtarësimin në BE, duke ofruar përfitime të parakohshme përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër pritet të përshpejtojë ndjeshëm procesin e zgjerimit dhe rritjen ekonomike të vendeve të rajonit”, thuhet në komunikatë.
Plani i Rritjes, sipas BE-së, “ka potencialin ta dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda dekadës së ardhshme”.
The post Takimi në Shkup, BE: Kosova u inkurajua ta përshpejtojë procesin e miratimit për ta zhbllokuar pagesën nga Plani i Rritjes appeared first on GazetaBlic.