Futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, i cili kishte rënë pa ndjenja në fushë në duelin ndaj Malishevës në Superligën e Kosovës me 7 maj, ka pasur kontrollat e fundit mjekësore në lidhje me gjendjen e tij.
Bilalli i cili kishte një goditje me portierin kundërshtar, kishte rënë pa ndjenja në tokë dhe më pas iu kishte përkeqësuar gjendja, duke rënë në “koma” për disa ditë, shkruan GazetaBlic Sport.
Pas gjakderdhje të brendshme në kokë, Bilalli ishte shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për kujdes të avancuar. Ai ishte tri ditë në gjendje kome, teksa më pas gjendja e tij ishte stabilizuar, mirëpo ishte mbajtur në spital për disa ditë.
Pas incidentit, futbollistit i duhet kohë për t’u kthyer në fushat e blerta, derisa të shërohet plotësisht.
Sipas burimeve të ‘GazetaBlic Sport’, Bilalli do t’i mungojë Gjilanit të paktën deri në muajin tetor.
Bilalli ditët e fundit ka kryer disa analiza rutinore në Tiranë tek doktori i njohur, Mentor Petrela në lidhje me gjendjen e tij pas rastit. Sipas informacioneve, ai nuk do jetë në gjendje të bëjë asnjë aktivitet sportiv deri në momentin kur mbush 6 muaj pas incidentit, e që i bie saktësisht deri në fillimin e tetorit.
Lajmi i mirë normalisht se është gjendja e tij stabile, teksa rikthimi i tij në fushë absolutisht mbetet në plan të dytë.
/GazetaBlic Sport
The post Oltion Bilalli do t’i mungojë Gjilanit deri në tetor, futbollisti nën kujdes mjekësor appeared first on GazetaBlic.