Nëse po planifikoni të kaloni pushimet tuaja verore në bregdetin shqiptar, duhet të dini se ka plazhe që konsiderohen të vërteta perla të natyrës. Turistët po zbulojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë si një nga destinacionet më të preferuara të verës, falë detit të pastër kristal dhe plazheve të ndryshme për çdo preferencë.
Një avantazh tjetër është afërsia me Italinë, që e bën udhëtimin të lehtë, ndërsa gjuha italiane kuptohet gjerësisht.
Nëse doni të përjetoni qetësinë larg turmave, ja disa prej plazheve më të fshehura që “Si Viaggia” sugjeron për pushimet tuaja:
Gjipë: plazhi mes kanioneve
I vendosur në Rivierën Shqiptare, Plazhi i Gjipësë mbetet më pak i frekuentuar sesa Dhërmiu apo Ksamilit. Arsyeja është se për të arritur atje, duhet të ecni rreth 40 minuta nga vendparkimi më i afërt. Rruga është e mirë, por kërkon këpucë të përshtatshme. Rëra dhe gurët e vegjël të bardhë, të kombinuar me ujin e bruztë të kristaltë, krijojnë një pamje mahnitëse në fund të kanionit, larg çdo zhurme.
Livadh: qetësi në pjesën veriore
Livadhi është i njohur, por pjesa e tij veriore mbetet më e qetë, pasi atje nuk ka shumë resorte. Nëse largoheni nga zona qendrore e mbipopulluar dhe ecni drejt veriut, do të gjeni ambiente të paprekura dhe detin e pastër kristalor.
Akuariumi: plazhi i fshehur i aksesueshëm nga deti
Ky plazh i vogël, pranë Livadhit, quhet “Akuariumi” për shkak të ujërave jashtëzakonisht të tejdukshme. Më lehtë arrihet me varkë dhe mbetet një nga vendet më romantike për të shijuar lindjet dhe perëndimet e diellit.
Pasqyra: rërë që reflekton si pasqyrë
I vendosur mes Sarandës dhe Ksamilit, ky plazh merr emrin nga drita që reflektohet fuqishëm mbi rërën e bardhë, duke krijuar një ndriçim të veçantë. Nuk ka aq shumë vizitorë sa Ksamilit, por ofron pamje spektakolare të Korfuzit dhe perëndime dielli magjike.
Borshi: plazhi më i gjatë shqiptar
Me një vijë bregdetare prej rreth 7 kilometrash, Plazhi i Borshit ofron mundësi për t’u larguar nga turmat. Mjafton të ecni pak nga zona me bare dhe restorante, për të gjetur qetësinë mes natyrës, ullishtave dhe detit ngjyrë safiri.
Shën Andrea: i mbrojtur brenda Parkut Karaburun-Sazan
Ky plazh i vogël ndodhet në zonën e mbrojtur të Karaburun-Sazan dhe arrihet më së miri me varkë nga Orikumi ose Vlora. Mjedisi i paprekur dhe deti i kthjellët e bëjnë ideal për ata që kërkojnë pushim të plotë në natyrë.
Krorëza: plazhi i artë i aksesueshëm vetëm nga deti
E njohur si një ndër plazhet më të izoluar, Krorëza ka rërë të artë dhe ujë të pastër kristal. Aksesueshme vetëm me varkë nga Porto Palermo, kjo zonë ofron qetësi absolute dhe natyrë të paprekur.
The post Plazhet më të qeta dhe magjepsëse në Shqipëri sipas medias italiane appeared first on GazetaBlic.