Agim Musliu, kryetar i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të grupeve të krimit të organizuar në Serbi nga pushteti i Aleksandar Vuçiqit. Në një postim të publikuar në Facebook, Musliu ka akuzuar Vuçiqin për instrumentalizimin e grupit të njohur të Milan Radoiçiq-it dhe bashkëpunëtorëve të tij për të shtypur protestën studentore në Beograd, më 28 qershor 2025.
“Krimi si shtet: Si e përdor Vuçiq grupin e Radoiçiqit për të sunduar”, titullohet teksti i Musliut, në të cilin denoncon atë që e quan një regjim autoritar të mbështetur mbi frikën, dhunën dhe aleancën me grupe kriminale.
Sipas Musliut, Vuçiq jo vetëm që ka lejuar pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit të jenë aktivë në Serbi, por edhe i ka mobilizuar ata për të goditur protestuesit, duke përfshirë studentët e rinj që po kërkojnë reforma demokratike. Ai e quan këtë një “paradoks tronditës”, duke theksuar se ndërsa Radoiçiq duhet të përballej me drejtësinë në Kosovë për krime të rënda, në Serbi ai shërben si mburojë për regjimin autoritar.
“Vuçiq e sulmoi Kosovën me grupin terrorist të Radoiçiqit; sot, me të njëjtin grup, po sulmon studentët në Serbi dhe po e mirëmban atë për sulme të tjera, ku dhe kurdo që i duhet,” thekson Musliu, duke paralajmëruar se kjo qasje e rrezikshme përbën kërcënim për të gjithë rajonin.
Musliu e cilëson këtë situatë si një shkelje të rëndë të standardeve demokratike, e cila mund të krijojë precedent për udhëheqës të tjerë autoritarë në Ballkan. “Është e papranueshme që në zemër të Evropës, në vitin 2025, të tolerohet bashkëpunimi i një qeverie me elemente terroriste dhe krimin e organizuar për të shtypur zërin e qytetarëve dhe për të sulmuar shtete të tjera,” shkruan ai.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Musliu i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë me vendosmëri ndaj këtij skenari alarmues. “Heshtja sot inkurajon edhe më tej regjimin e Vuçiqit dhe falangat e tij kriminale,” përfundon ai.
Postimi i Musliut është shoqëruar me video që pretendohet se dëshmojnë pjesëmarrjen e anëtarëve të grupit të Radoiçiqit në shtypjen e protestës studentore në Beograd.
The post Musliu: Vuçiq po sundon përmes grupeve kriminale – Radoiçiq po përdoret për të shtypur protestat në Serbi appeared first on GazetaBlic.