Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka bërë një reagim të ashpër ndaj vendimit të fundit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke e quajtur atë të padrejtë dhe të paarsyeshëm.
Sipas AKK-së, Ministria ka kërkuar që komunat të ndalojnë procesin e vlerësimit të pronës komunale për qëllime këmbimi gjatë periudhës zgjedhore, një veprim që, sipas tyre, nuk gjen mbështetje në asnjë dispozitë ligjore.
Me këtë rast, drejtori ekzekutiv Sazan Ibrahimi, tha se vlerësimi i pronës është një proces teknik e përgatitor dhe nuk përbën vendim politik.
Ibrahimi theksoi se procesi në fjalë nuk bie ndesh me kufizimet ligjore që aplikohen gjatë fushatës zgjedhore dhe se ndërprerja e tij rrezikon të paralizojë zhvillimin komunal deri në mars të vitit 2026.
“MFPT, përmes kësaj ndërhyrjeje të paarsyeshme, po cenon drejtpërdrejt autonominë funksionale të pushtetit lokal dhe po krijon barriera burokratike që pengojnë realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve,” deklaroi Ibrahimi.
Ai e cilëson kërkesën e ministrisë si arbitrare dhe në kundërshtim me parimet e decentralizimit të pushtetit, duke theksuar se ajo dëmton interesin publik dhe ndikon negativisht në punën përgatitore për projektet e rëndësishme që varen nga këmbimi i pronës komunale.
Në fund të reagimit, ai ka paraqitur tri kërkesa ndaj MFPT-së:
- Tërheqjen e menjëhershme të kërkesës për ndalimin e vlerësimit të pronës gjatë periudhës zgjedhore;
- Respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve që garantojnë kompetencat e pushtetit lokal;
- Ndaljen e ndërhyrjeve politike dhe të njëanshme në punën administrative të komunave.
Sipas tij, komunat nuk duhet të penalizohen për shkak të fushatës zgjedhore, pasi puna e tyre është në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
The post Asociacioni i Komunave reagon ashpër, akuzon Ministrinë e Financave për ndërhyrje të paligjshme në proceset komunale appeared first on GazetaBlic.