Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një mbledhje mënyrë elektronike.
Në njoftimin e saj është diskutuar çështja e zgjedhjeve lokale, ku është bërë e ditur se lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,067,998 votues.
Nga KQZ është bërë e ditur edhe se numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje është: 33,540 votues,, shkruan Gazeta Express.
Po ashtu, KQZ ka marrë vendim edhe për miratimin e listës së Qendrave të Votimit, e ku sipas këtij vendimi numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës, në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit është: 945.
Nga ky numër i përgjithshëm, 907 Qendra të Votimit do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërkaq në 38 të tjera, nga një për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht.
Komunikata:
Njoftim nga mbledhja e 41-të e KQZ-së: Raport informues për Listën Preliminare të Votuesve dhe miratimi i 945 Qendrave të Votimit
Prishtinë, 27 qershor 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 41-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi. Kjo mbledhje u zhvillua në mënyrë elektronike.
Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së u njoftuan lidhur me raportin e Listës Preliminare të Votuesve (LPV) për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,067,998 votues, pra 7,870 votues më pak në krahasim me Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale më 12 tetor 2025 është: 33,540 votues, prej të cilëve:
•26,654 votues konsiderohen të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2025, kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale 2025; dhe
•6,886 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës është 41,410. Ky numër përfshin:
•6,276 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
•340 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC;
•2,967 votues të larguar si persona të vdekur, pas krahasimit të ekstraktit të ARC me regjistrin e pranuar nga Departamenti i Pensioneve;
•117 votues të larguar për shkak të marrjes së së drejtës së zotësisë së veprimit, të evidentuar nga listat e pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës;
•471 votues mbi 100 vjeç, të larguar pas krahasimit ndërmjet të dhënave të ekstraktit me të dhënat e Agjnecisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga regjistrimi i popullsisë 2024;
•31,239 votues të larguar nga ARC, pasi janë kategorizuar si persona të paverifikuar — këta figurojnë në regjistrin e Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve (DPD), por nuk figurojnë në regjistrin e Departamentit të Gjendjes Civile (DGjC).
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës, në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit është: 945. Nga ky numër i përgjithshëm, 907 Qendra të Votimit do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërkaq në 38 të tjera, nga një për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht.
The post 945 Qendra të Votimit për zgjedhjet lokale të tetorit, KQZ: Mbi 33 mijë votues të rinj appeared first on GazetaBlic.