Organizata të shoqërisë civile kanë protestuar sërish para Kuvendit kundër bllokadës së krijuar tash e dy muaj, si pasojë e moskonsituimit të Kuvendit.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Kuvendi duhet të konstitutuohet përmes një marrëveshje politike.
“Partia fituese ka të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë është njëkohësisht edhe detyrim për të bashkëpunuar me grupet e tjera parlamentare në mënyrë konstruktive, për të siguruar shumicën e nevojshme. Kjo e drejtë në asnjë rrethanë nuk mund të përdoret si instrument për të mbajtur Kuvendin të bllokuar”, thuhet në reagim.
KDI ka thënë se Gjykata Kushtetuese, me Aktgjykimin që publikoi dje, e bëri të qartë se votimi për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit duhet të jetë i hapur.
“Gjykata po ashtu e bëri të qartë se votimi duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë gjithmonë në seancat konstituive të mëparshme. Rendi i ditës i përcaktuar në Rregullore duhet të respektohet me përpikmëri nga Kryesuesi i seancës, ndërsa Kuvendi ka obligim të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor”.
Sipas kësaj organizate, çdo ditë pa institucione funksionale është dëm për ekonominë, demokracinë dhe besimin qytetar.
“Prandaj, koha për përgjegjësi është tani. E konsensusi politik nuk është më çështje vullneti, por domosdoshmëri për të dalë nga kjo krizë”, thuhet në reagim.
Ndryshe, partitë janë pajtuar për ndërprerjen e seancës së sotme, në mënyrë që ajo të vazhdojë pas takimit të ftuar nga kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, me liderët e partive tjera.
The post KDI: Kushtetuesja foli dje, Kuvendi duhet të konstituohet përmes një marrëveshjeje politike appeared first on GazetaBlic.