Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një rast të futjes së mjeteve monetare të padeklaruara përmes pikës kufitare te Vërmices.
Në njoftimin e Doganës thuhet se gjatë një kontrolli të detajuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, në orët e para të mëngjesit, një automjet është selektuar për kontroll të dytë pas deklarimit negativ nga udhëtarët. Gjatë këtij kontrolli janë zbuluar mjete monetare në trupin e drejtuesit të automjetit si dhe të pasagjerit, në vlerë totale prej 55,000 euro.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, janë ndërmarrë veprimet procedurale, ku në përputhje me Kodin Doganor dhe Akcizës, është inicuar konfiskimi i 25% të shumës së padeklaruar, derisa pjesa tjetër e mjeteve është ndaluar përkohësisht deri në perfundimin e hetimeve.
“Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që hyn apo del nga territori i Republikës së Kosovës dhe bart më shumë se 10,000 euro, është i obliguar të deklarojë shumën konform legjislacionit në fuqi. Mosdeklarimi përbën shkelje dhe i nënshtrohet masave ndëshkuese”, thuhet në njoftimin e doganës.
The post Dogana parandalon futjen e 55 mijë eurove të padeklaruara në Vermicë appeared first on GazetaBlic.