Një person është arrestuar të enjten në mbrëmje në Pejë, nën dyshimin se është përfshirë në një grabitje të ndodhur më 23 qershor në një barnatore në lagjen Fidanishte.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Sipas tij, i dyshuari është kapur në flagrancë teksa po tentonte të kryente një tjetër grabitje.
“Është arrestuar personi i dyshuar për grabitjen në barnatoren në Fidanishte, i cili ishte në arrati prej disa ditësh. I njëjti është arrestuar duke tentuar të kryejë një tjetër vepër penale, të njëjtë me atë të grabitjes së mëparshme. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë”, deklaroi Nikçi.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit, por kanë konfirmuar se hetimet janë në vazhdim për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.
The post Arrestohet i dyshuari për grabitjen e barnatores në Pejë, kapet në tentativë për një tjetër vepër appeared first on GazetaBlic.