Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka folur lidhur me ngërçin aktual politik dhe mosfunksionalitetin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare.
Berisha e ka cilësuar këtë situatë si të papritur dhe të pabesueshme për të gjitha partitë që kanë marrë mandat në Kuvendin e Kosovës.
“Për ne si parti kjo situatë ka qenë e papritur dhe e pabesueshme. Ne jemi zgjedhur si deputetë të Kosovës dhe kemi marrë përgjegjësinë për të filluar punët që na takojnë si të zgjedhur,” deklaroi ai.
Më tej, ai e cilësoi humbjen e kohës në procesin e konstituimit si të dëmshme për vendin.
Berisha po ashtu bëri të ditur se ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me mandatarin Albin Kurti, ku ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në drejtim të krijimit të institucioneve funksionale.
“Kam pasur kontakte edhe me mandatarin e parë, zotin Kurti, dhe kam shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojmë për të krijuar institucionet sa më parë. Kam ofruar mandatin tim dhe kemi diskutuar për një projekt të përbashkët, duke kërkuar që programi i Partisë Liberale Egjiptiane – me 11 pika – të përfshihet në programin qeverisës,” shtoi ai.
Berisha theksoi se partia që ai përfaqëson është e gatshme të japë kontribut konkret për një qeveri që sjell rezultate të prekshme dhe të dobishme për qytetarët./teve1/
The post PLE kërkon përfshirjen e programit 11-pikësh në Qeveri – Berisha zbulon bisedimet me Kurtin appeared first on GazetaBlic.