Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Millorad Gjokoviq për krime lufte në fshatin Ozdrim, të mërkurën në cilësinë e dëshmitarit para trupit gjykues u dëgjua Bashkim Gashi, i cili rrëfeu maltretimet që kishte përjetuar kur u ndaluan nga forcat serbe. Po ashtu, ai dëshmoi edhe për rastin e vrasjes së vëllait të tij, i cili atëkohë ishte 16-vjeçar.
Dëshmitari Gashi rrëfëu gjerësisht atë që kishte përjetuar më 7 maj 1999 në Ozdrim, e gjithashtu përshkroi vuajtjet që përjetoi kur ishte transferuar në Leskovc. Ndër të tjera, tha se rreth tridhjetë përsona gjendeshin në një dhomë, e që gjatë tërë natës ishin rrahur e maltretuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“27 a 30 jemi kanë një dhomë në Leskovc, gjithë natën i kanë nxjerrë i kanë rrah, se mua më bike t’lig, më kanë çu në një bodrum, ish kanë një mjek, tu më çu më kapshin zhag më gjujshin ka 3-4 metra… Më kanë ngreh zhag si me kanë unë naj top futbolli, më kapshin më gjujshin bum, ai tjetri i thojke gjuma mu s’e di ma mirë…s’di qysh jam gjallë”, tha Gashi.
I pyetur nga prokurori special, Kastriot Memaj nëse kishte arritur të identifikojë dikë në ditën kritike kur kishte ndodhur ngjarja, dëshmitari deklaroi se i kishte identifikuar disa edhe pse kishin qenë të mbështetur në një rrethojë. Ndër personat që i kishte identifikuar, tha se ishte Mumo Vukotiq.
Ndërsa, për të akuzuarin Gjokoviq tha se kishte qenë civil, por i armatosur dhe i veshur me antiplumb.
“Civil u kanë edhe ky…jeleka antiplum kanë pas, tanë janë kanë të armatosun edhe fëmija e tyre janë kanë të armatosur”, tha dëshmitari Gashi.
Gjithashtu, dëshmitari tregoi se vëllai i tij- atëkohë 16-vjeçar fillimisht ishte plagosur dhe ishte dërguar në Spitalin e Pejës, por vite më vonë, eshtrat e tij ishin gjetur në një varr masiv në Lutogllavë.
“Vëllain e kanë plagu kamve edhe unë sa kam pa qajo “lladë” u ardhë e kanë çu për spital, M.G., djali i mixhës u kanë i plagun në dorë, i kanë thanë a do me nejt këtu a me shku në spital, ka thanë në spital me shku, bile ne që jemi kanë aty kemi lakmu, tham i çuan në spital e pshtun. Po kur e ka gju NATO kazermën në Pejë, i kanë marrë, vetë i 11-i u gjet në Lutogllavë në varr masiv”, tha Gashi.
Sipas planifikimit të kësaj Gjykate, në radhë për t’u dëgjuar ishte dëshmitari Mentor Gashi, mirëpo prokuroi Memaj propozoi që deklarata e tij vetëm të lexohet, me arsyetimin se rrëfen vetëm ngjarjen dhe duke pasur parasysh kushtet e papërshtatshme në sallën e gjykimit për shkak të temperaturës së lartë, kërkoi nga trupi gjykues që ky propozim i tij të aprovohet.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Valon Kurtaj, me pëlqimin e palëve në procedurë aprovoi propozimin e prokurorit Memaj dhe ndërpreu seancën e sotme, kurse të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi
The post “Vetë i 11-i u gjet në Lutogllavë në varr masiv”, Bashkim Gashi rrëfen torturat nga forcat serbe appeared first on GazetaBlic.