Kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se qeveria e tij do të investojë në blerjen e 12 avionëve luftarakë të tipit F-35A, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë kombëtare.
Përmes një postimi në X, Starmer ka thënë se “paqja nuk është më diçka që mund ta marrim si të mirëqenë”. Ai tutje ka shtuar se për këtë arsye qeveria e tij po ndërmerr hapa konkretë në mënyrë që të “garantohet siguria e Britanisë”.
Kujtojmë se, F-35A është një nga avionët më të avancuar në botë dhe përdoret nga një numër aleatësh të NATO-s, përfshirë SHBA-në, Holandën, Italinë, Norvegjinë dhe Japoninë. Njihet për aftësitë e tij në fushëbetejë, përfshirë teknologjinë ‘stealth’, operacionet e mbledhjes së inteligjencës dhe sulmet precize në objektiva tokësore.
Ndërsa, sipas qeverisë britanike, kjo blerje do të sjellë gjithashtu mijëra vende pune me kualifikim të lartë në industrinë e mbrojtjes dhe atë ajrore.
“Ky investim është një sinjal i qartë: Britania nuk do të qëndrojë pasive përballë rreziqeve që po formësojnë botën. Ne po investojmë në sigurinë tonë dhe në të ardhmen e njerëzve tanë,” ka thënë Starmer.
The post Britania blen 12 avionë luftarakë F-35A appeared first on GazetaBlic.