I ngarkuari me punë në ambasadën e Iranit, Mohamed Mahdi Abadi, e falënderoi sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për qëndrimin e tij se SHBA ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me sulmin ndaj Iranit.
Vuçiq deklaroi dje se nuk ka dyshim që SHBA ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me sulmin ndaj Iranit, duke shtuar se si Izraeli ashtu edhe Irani janë popuj miqësorë për Serbinë dhe se ai dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe Lindjen e Mesme.
“Nuk e kuptoj pse nuk e zgjidhën këtë përmes diplomacisë”, tha Vuçiq.
Mahdi Abadi, sot gjatë një bisede me gazetarët në Ambasadën e Iranit në Beograd, falënderoi të gjitha vendet që dënuan sulmin amerikan mbi objektet bërthamore iraniane, përfshirë Serbinë, Kinën dhe Rusinë, por shtoi se Irani, ndonëse falënderues, mbështetet ekskluzivisht te vetja dhe te populli i tij.
Ai shtoi se të gjitha negociatat bazohen në besim të ndërsjellë dhe se vazhdimi i bisedimeve për programin bërthamor të Iranit do të varet nga sjellja e mëtejshme e SHBA.
“Gjithmonë kemi hyrë me qëllim të mirë në negociata me SHBA-në dhe vendet perëndimore, por sulmet e fundit kanë përkeqësuar atmosferën”, tha ai, shkruan Danas.
“Ishim në negociata kur pala jonë u sulmua, nuk e kishim pritur këtë”, shtoi ai.
Irani ka vazhduar pasurimin e uraniumit pasi SHBA, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, u tërhoq njëanshëm nga marrëveshja me fuqitë botërore. Aktualisht pasurimi ka arritur 60%, ndërsa për armë bërthamore nevojitet 90%. Izraeli, megjithëse posedon armë të tilla, i cilëson veprimet e Teheranit si kërcënim ekzistencial.
Kjo çështje është aktualisht temë e negociatave të ndërprera mes Teheranit dhe Uashingtonit, me ndërmjetësimin e Omanit, me synim frenimin e programit bërthamor iranian.
Fuqitë botërore arritën marrëveshje me Teheranin në vitin 2015, sipas së cilës Irani pranoi të kufizojë pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike u ngarkuan me mbikëqyrjen e programit.
Mahdi Abadi u tha gazetarëve serbë se nuk është subjekt negociatash e drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit dhe për të pasur program bërthamor, të cilin e përshkroi si të destinuar për qëllime paqësore. Ai theksoi se Irani ka gjithë teknologjinë dhe njohuritë e nevojshme, dhe nëse do të kishte dashur, do ta kishte ndërtuar tashmë një bombë bërthamore.
Ai tha se, sipas të dhënave të agjencive iraniane të mbikëqyrjes, nuk ka pasur rrezatim pas sulmeve amerikane të së dielës.
“Çështja bërthamore nuk është çështje e pajisjeve apo materialeve, por e dijes. Sado që të dëmtohen objektet, me dijen që ka Irani, gjithçka do të rindërtohet”, shtoi ai.
Zyrtari iranian tha se marrëveshja për armëpushim, të cilën e kërkoi presidenti amerikan Donald Trump, ishte gojore dhe e arritur përmes ndërmjetësuesve, dhe se Irani e respekton atë, por do të reagojë nëse shkelet nga pala tjetër.
Ai hodhi poshtë spekulimet për kundërshtimin e regjimit nga populli iranian, duke thënë se populli është i bashkuar kundër agresionit të jashtëm.
Protestat e mëparshme, sipas tij, ishin të drejtuara për reforma dhe jo kundër sistemit apo rendit politik.
Si “shaka” dhe “propagandë mediatike” e përshkroi deklaratën e djalit të shahut të mëparshëm iranian se është gati të marrë pushtetin pas rrëzimit të ajatollah Ali Khamenei.
“Kjo është kërkesë e një pakice të vogël që jeton jashtë Iranit”, tha ai.
Ai tha se një takim mes Presidentit të Serbisë dhe atij të Iranit nuk është i planifikuar zyrtarisht, dhe kur u pyet për lajmet që Serbia ka ndaluar eksportin e municionit, tha se nuk përzihen në punët e brendshme të vendeve të tjera.
Ambasada e Iranit, shtoi ai, nuk ka informacion nëse dhe sa shtetas serbë janë evakuuar nga Irani pas përshkallëzimit të fundit.
The post Vuçiqi doli kundër Amerikës, Irani falënderues ndaj Serbisë për qëndrimin ndaj luftës me Izraelin appeared first on GazetaBlic.