Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar ndaj ftesave të VV-së për bashkëpunim në tejkalimin e ngërçit politik, duke i quajtur ato të pamoralshme dhe fyese, në rrethana kur opozita etiketohet si bashkëpunëtore e Serbisë.
Në emisionin “Info Nata” Zemaj tha se retorika e dyfishtë e VV-së dhe kryeministrit në detyrë është pengesë serioze për ndërtimin e një marrëveshjeje politike.
“Duhet të ketë marrëdhënie të mira njerëzore dhe politike, sepse kur e etiketon dikë si tradhtar apo bashkëpunëtor të Serbisë dhe pasdite i kërkon marrëveshje politike, kjo është e pamoralshme dhe fyese. Sidomos për një person që udhëheq ose pretendon të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës,” u shpreh Zemaj.
Ai shtoi se problemi në procesin e moskonstituimit të Kuvendit nuk qëndron te Albulena Haxhiu, siç pretendohet nga VV-ja, por te qasja politike dhe sjellja e vetë kryeministrit në raport me opozitën.
“Nuk është Albulena Haxhiu problemi, është mënyra e komunikimit dhe veprimit të kryeministrit ndaj opozitës që po e thellon bllokadën,” tha ndër të tjera Zemaj.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë të tensionuar politike, ku partitë ende nuk kanë arritur marrëveshje për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit.
The post Zemaj: S’ka marrëveshje me ata që na etiketojnë si bashkëpunëtorë të Serbisë appeared first on GazetaBlic.