Ish-deputeti Visar Ymeri ka komentuar dështimet në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si krizë që buron nga sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurti.
Në Debat Plus, Ymeri theksoi se problemi nuk qëndron më te Kushtetuta, por te “këmbëngulja dhe kryeneçësia e Kurtit dhe VV-së”.
“Tash nuk e kemi problemin tek Kushtetuta e as te institucioni, po tek këmbëngulja dhe kryeneçësia e Albin Kurtit dhe VV-së. Shiko çfarë situate, dhe kjo nuk krahasohet as me VLEN e as me PAN, sepse tash jemi në një situatë, kur dy parti politike që kanë deputetë më shumë se që me ia bë shumicën Albin Kurtit, po i thonë së paku njëra, PDK, hiqi këta që i ki pas ministra, 40 deputetë të tjera t’i votoj. Askush s’po ia konteston VV-së të drejtën për me pas kryetarin e Kuvendit”, ka thënë Ymeri.
“Albin Kurti po thotë se këta s’po ma duan Albulenën, por ky po e fsheh faktin se nuk po i do 40 deputet të LVV-së. Kurti është kundër Glauk Konjufcës, kunder Saranda Bogujevcit, kundër Shqipe Selimit, Artan Abrashit, Mimoza Kusarit e kundër deputetëve tjerë. Këtu është problemi”, ka shtuar ish-deputeti.
Kuvendi ka dështuar për herë të 36-të me radhë të konstituohet, katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Përfaqësuesit e popullit po mblidhen çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, por ende nuk kanë arritur të zhbllokojnë ngërçin institucional.
Ata do të mblidhen sërish më 25 qershor.
Në qendër të bllokadës është moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për shkak të mungesës së votave për kandidatin e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. Në mungesë të 61 votave në votim të hapur, po tentohet të formohet një komision për votim të fshehtë, por kjo ka dështuar 27 herë, pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar nga një anëtar për ta bërë të mundur këtë proces.
The post Ymeri: Kurti është kundër Konjufcës, Bogujevcit e Selimit për pozitën e kryeparlamentarit appeared first on GazetaBlic.