Lulzim Beqiri e ka cilësuar si një hap të drejtë dhe të mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që detyronte daljen e bizneseve të mëdha në tregun e hapur të energjisë.
Sipas tij, ky veprim ndihmon në rikthimin e stabilitetit institucional dhe tregon se ndërhyrja e ZRrE-së nuk kishte bazë të fortë ekonomike apo rregullatore.
“Vendimi i Gjykatës Komerciale për të pezulluar vendimin e ZRrE-së në lidhje me daljen e detyrueshme të bizneseve të mëdha në tregun e hapur të energjisë është një hap i qëlluar dhe i mirëpritur nga këndvështrimi ekonomik. Ky vendim ndihmon në rivendosjen e stabilitetit dhe besimit në sistemin institucional, duke adresuar një ndërhyrje që në thelb nuk ishte e bazuar në analiza të mirëfillta ekonomike apo rregullatore,” ka deklaruar Beqiri.
Ai ka kritikuar qasjen e ZRrE-së, duke e akuzuar për mungesë konsultimesh me akterët relevantë dhe për vendimmarrje të pakoordinuar.
“ZRrE ka marrë një vendim me pasoja të drejtpërdrejta për sektorin privat pa konsultime të nevojshme dhe pa një strategji të qartë për menaxhimin e pasojave afatshkurtra dhe afatgjata në treg,” tha ai, duke shtuar se kjo krijon përshtypjen e një vendimi të motivuar politikisht dhe jo të bazuar në një plan të qëndrueshëm liberalizimi.
Beqiri gjithashtu ka paralajmëruar për pasojat ekonomike të këtij vendimi të njëanshëm, duke theksuar rreziqet që përballen bizneset në kushte tashmë të vështira.
“Ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa analizë të ndikimit në sektorin real të ekonomisë, ka rrezikuar të përkeqësojë kushtet për biznese që tashmë operojnë nën presionin e inflacionit dhe kostove të larta operacionale,” ka theksuar ai, duke shtuar se mungesa e ofertuesve realë në treg dhe rritja e çmimit të energjisë mund të çojnë në mbyllje apo largim të ndërmarrjeve nga tregu.
Në fund, Beqiri e ka quajtur këtë vendim të gjykatës jo vetëm të drejtë në aspektin ligjor, por edhe një sinjal të rëndësishëm për institucionet vendimmarrëse.
“Vendimi i gjykatës nuk është vetëm korrekt në aspektin ligjor, por është një mesazh i qartë për rregullatorët dhe zyrtarët publikë që çdo reformë strukturore duhet të jetë e bazuar në prova, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Rregullimi i tregjeve nuk mund të udhëhiqet nga arroganca institucionale apo mungesa e përgjegjësisë ndaj pasojave ekonomike dhe sociale,” përfundoi ai për GazetaBlic.
The post Eksperti i ekonomisë: Vendimi për pezullimin e daljes së bizneseve në tregun e hapur, i qëlluar dhe i domosdoshëm ekonomikisht appeared first on GazetaBlic.