Rreth 260 punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) u është ndërprerë kontrata e punës, pas një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Ndërkohë, drejtori i përkohshëm i QKUK-së, Osman Hajdari, ka deklaruar se siguria fizike në këtë institucion do të mbulohet përkohësisht nga Policia e Kosovës, deri në finalizimin e kontratës së re me një operator të ri ekonomik.
Hajdari, gjatë një prononcimi për media, refuzoi të diskutojë me punëtorët në prani të gazetarëve, por sqaroi se është i obliguar të zbatojë vendimin e OShP-së për ndërprerjen e kontratës ekzistuese.
“Ne si QKUK kemi pasur një kontratë të negociuar për sigurimin fizik, mirëpo OShP ka vendosur që ajo të ndërpritet. Kompania ka ushtruar ankesë në Gjykatën Komerciale, e cila ka kërkuar masa të përkohshme. Deri më tani nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar nga gjykata. Në ndërkohë, kam kërkuar nga Policia e Kosovës që të marrë përsipër sigurinë fizike në pikat kyçe deri në finalizimin e kontratës së re, që pritet të nënshkruhet nesër,” deklaroi Hajdari.
Ai theksoi se si drejtor nuk ka të drejtë ligjore të kërkojë vazhdimin e punës nga kompania pa kontratë të vlefshme.
Nga ana tjetër, kryetari i sindikatës në QKUK, Hakif Sylejmani, shprehu shqetësimin për kushtet në të cilat janë lënë punëtorët.
“Punëtorët janë të rrezikuar dhe pa uniforma. Pa kontratë nuk mund të kërkohet që ata të punojnë. Duam garanci që këta punëtorë do të rikthehen në punë pas nënshkrimit të kontratës së re,” theksoi ai.
Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e cilësoi situatën si të papranueshme, duke thënë se punëtorët do të qëndrojnë në shtëpi derisa të zgjidhet çështja.
“Kjo është një situatë që po ndodh për shkak të interesave të kompanive. Punëtorët nuk janë lodra që lëvizin me vullnetin e operatorëve ekonomikë,” deklaroi Azemi.
Aktualisht, siguria në QKUK po mbahet nga Policia e Kosovës në mënyrë të përkohshme, ndërsa pritet që nesër të nënshkruhet kontrata e re me një kompani sigurimi.
The post Punëtorët e sigurimit largohen nga QKUK, Osmani: Policia merr përsipër sigurimin appeared first on GazetaBlic.