Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një ngjarje të organizuar në degën e partisë në Viti, ka njoftuar nominimin e Sokol Halitit për mandatin e katërt si kryetar i komunës së Vitisë, raporton GazetaBlic.
Abdixhiku vlerësoi Halitin për punën e tij të palodhur dhe përkushtimin ndaj qytetarëve, duke e cilësuar si një figurë të përkushtuar që udhëhoqi me vizion, ndershmëri dhe thjeshtësi.
Ai theksoi arritjet e Halitit në ndërtimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Viti, duke i dhënë mbështetje të fortë kandidaturës së tij për një tjetër mandat.
Shkrimi i plotë:
Sokol Haliti për Viti.
Edhe katër!
Në prani, të strukturave të Degës sonë në Viti, mes gjithë atyre që s’ndalen së punuari për Lidhjen tonë, pranova nominimin e Kryesisë së degës për Sokol Halitin – për Kryetar të kësaj komune edhe për një mandat.
Sokoli është figura e përkushtimit të qetë. Është njeriu që nuk ka ndërtuar pushtet mbi zhurmë, por mbi punë. Nuk ka kërkuar lavdi politike, por e ka merituar respektin e qytetarëve me thjeshtësi, me ndershmëri dhe me shërbim. Në tri mandatet e tij si Kryetar i Vitisë, ai ka bërë atë që shumëkush nuk e bën dot në një jetë të tërë politike – ka punuar çdo ditë, me ritëm, me plan, me vizion. Ka sjellë projekte konkrete, investime reale, e mbi të gjitha – ka ndërtuar një administratë që shërben.
Sokolin e njoh prej vitesh. E kam parë në punë, e kam parë në përgjegjësi, e kam parë në heshtje. E kam parë jo në skena politike të stolisura me fjalë të mëdha, por në rrugët e qytetit, në zyrat e komunës, në vizitat nëpër fshatra – gjithmonë pranë njerëzve, gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.
E njoh si një njeri të përmbajtur, që nuk e shfaq veten me zhurmë – por e dëshmon me veprim. Që nuk udhëheq për të bërë karrierë personale – por për të çuar përpara jetën e qytetarëve të tij. Kam parë tek ai një virtyt që rrallë e gjen në politikën e sotme: thjeshtësinë dhe durimin për të dëgjuar, vendosmërinë për të vendosur dhe qetësinë për të ndërtuar. Shembull për ne të gjithë.
Në shumë biseda tona, jo vetëm si kryetar partie, por edhe si mik, kam dëgjuar për sfidat e Vitisë. Për hallet e qytetarëve. Për betejat e përditshme me procedura, me burokraci, me mungesë të mbështetjes qendrore. Por kurrë nuk e kam dëgjuar të ankohet. As të justifikohet. Ai gjithmonë ka zgjedhur të punojë.
Në Viti janë ndërtuar rrugë e shkolla, janë zgjeruar shërbimet shëndetësore, janë modernizuar fshatra të tëra, janë përkrahur fermerët dhe janë mbështetur të rinjtë. Janë ngritur qendra sociale dhe është trajtuar me dinjitet çdo shtresë e shoqërisë – nga fëmijët e deri te pensionistët tanë.
Prandaj, Sokoli i meriton dhe katër vite fë tiera.
Për vizionin që ka, ai dhe LDK bashkarisht, si dhe për mbështetjen e madhe që e gëzon në Viti, këto katër vite do të vijnë.
The post Abdixhiku propozon Sokol Halitin edhe për një mandat si Kryetar i Vitisë: I meriton dhe katër vite të tjera appeared first on GazetaBlic.