Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve pretendon se ka zbuluar një sistem shqetësues të përdorimit të parasë publike në Komunën e Prishtinës për adoptimin dhe strehimin e qenve endacak.
Sipas FDK, vetëm 12 individë marrin çdo vit mbi gjysmë milioni euro për të strehuar mbi 850 qen. –
“Në vend të një procesi të rregullt të adoptimit dhe mirëmbajtjes së standardeve për mirëqenien e kafshëve, kjo skemë është kthyer në një strehim masiv të financuar nga taksat e qytetarëve, pa kontroll efektiv institucional.”, thuhet në reagimin e FDK në faqen e tyre në Facebook.
Komuna e Prishtinës nuk posedon asnjë raport monitorimi për këta individë të subvencionuar, thuhet nga FDK.
Për më tepër, sipas tyre, komisioni për monitorimin e adoptuesve është formuar vetëm në vitin 2025, dhe atë pas kërkesës së Fondacionit për të pasur qasje në procesverbalet e vizitave.
Pas kërkesës së Fondacionit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka realizuar inspektime në disa prej këtyre qendrave të strehimit masiv, të cilat rezultuan me gjetje të rënda.
Ndër të tjera, në gjetjet e AUV’it konstatohet se higjiena është nën standarde minimale, qentë ushqehen vetëm me bukë ose mbetje të thertoreve, ka mungesë ose plotësisht mungesë e dokumentacionit shëndetësor, strehimoret janë të improvizuara në kushte mizore, përfshirë shtalla të vjetra dhe pa asnjë investim
Edhe veterineri i strehimores publike të komunës, sipas FDK’së, gjatë dy inspektimeve të ndara nga AUV, ka pranuar se nuk e di nëse procesi i adoptimit është në përputhje me udhëzimet ligjore, sepse sipas tij “për këtë vendos komisioni i brendshëm komunal”.
Në grafikun e publikuar nga Fondacioni, tregohet se vetëm një numër shumë i vogël individësh përfitojnë shumicën e fondeve për të adoptuar qindra qen, pa nuk ka asnjë mekanizëm verifikimi nëse këto fonde përdoren për mirëqenien e kafshëve apo për përfitime personale.
Fondacioni e cilëson këtë si një sistem të shtrembëruar, ku në emër të adoptimit, praktikohet strehimi masiv i qenve në kushte të mjerueshme.
The post FDK: Pa mbikëqyrje dhe transparencë, 12 persona marrin mbi 500 mijë euro nga komuna e Prishtinës për adoptim të qenve appeared first on GazetaBlic.